E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuni: Kthehem në prill, s‘kam kërkuar azil politik

Gjyqtari Ardian Nuni ka deklaruar se nuk ka kërkuar strehim në SHBA. Në një prononcim për një televizion privat ai ka hedhur poshtë deklaratat se ka kërkuar strehim në SHBA. Nuni nënvizon se ka qëndruar në SHBA prej disa javësh për një kontroll mjekësor pas atentatit që iu bë disa kohë më parë pranë shtëpisë së tij. "Në muajin prill do të kthehem të rifilloj punë në Gjykatën e Lartë. Jam këtu për kurim mjekësor dhe mjekët konfirmuan gjendjen time shumë të mirë shëndetësore", u shpreh Nuni. Ai theksoi se është në përfundim të rehabilitimit të plotë fizik.
Ndërkohë, burime të grupit që po merret me hetimet policore për identifikimin e autorit të ngjarjes që tronditi para disa ditësh opinionin publik, bëjnë të ditur se vetë Nuni nuk ofron më bashkëpunim pas kërkesës së tij për një ruajtje të çdo rrethane të ngjarjes, për shkak të pozicionit të tij si gjykatës i lartë. Ardian Nuni u plagos disa javë më parë në afërsi të banesës së tij, nga një person që mbetet ende i paidentifikuar. Para prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, Nuni deklaroi se ditën e ngjarjes kishte pirë kafe me disa miq dhe po kthehej në apartamentin e tij, në lagjen "Komuna e Parisit". Sapo ka parkuar automjetin dhe ka dalë prej tij, një person e ka ndjekur në hyrje të pallatit, duke e qëlluar katër herë. Gjyqtari ka kthyer kokën dhe ka parë një person të moshës rreth 30 vjeç, i gjatë 175-180 centimetër, që kishte në dorë një armë të mbështjellë në gazetë. Dy plumbat e kanë prekur në këmbë dhe në shpatullën e majtë, duke i shkaktuar disa plagë. Ai është transportuar nga dëshmitarët në Spitalin Ushtarak, ku qëndroi 24 orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›