Xhamat e zinj dhe shenjat e policisë, gjobiten 320 mjete
Policia rrugore ka penalizuar 320 drejtues mjetesh për disa ditë, për shkak të xhamave të zinj ose shenjave të përdorura, duke abuzuar me ligjin. Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale, kërkohet për të mos mbajtur në përdorim, mjete me xhama të riveshur apo të errësuara. Kështu, ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit, kanë marrë masën administrative "gjobë" 358 drejtues mjetesh, nga të cilët 320 drejtues mjetesh janë gjobitur për mbajtje të mjetit me xhama të riveshur, 32 drejtues mjetesh për mbajtje të fenelinave të policisë dhe 26 drejtues mjetesh për mbajtje të tabelave të policisë. Masat administrative të vendosura ndaj drejtuesve të mjeteve variojnë nga 2000 lekë, deri në pezullim të lejes së drejtimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë njofton se për ata drejtues automjetesh që kundërshtojnë zbatimin e kësaj kërkese ligjore, do të bëhet shoqërimi në komisariat i tyre si dhe do të ndiqet procedimi administrativ. Ndërkohë, për periudhën kohore 01 mars deri më 17 mars 2009, shërbimet e policisë rrugore Tiranë kanë pezulluar 54 leje drejtimi për moszbatim të legjislacionit rrugor, ndërsa janë bllokuar 46 automjete për mungesë dokumentacioni.