E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëdhëniet e Shqipërisë me BE, zyrtarisht në krizë të thellë

Nga Armand Maho

Shqipëria tashmë është zyrtarisht në një nga krizat më të rënda të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian që prej nisjes së rrugës drejt anëtarësimit në klubin demokratik. Shkak është ligji i lustracionit. Presidenca çeke e BE ka lëshuar dje një nga deklaratat më të ashpra për sa i përket nevojës për rishikimin e këtij ligji, duke parë që qeveria dhe mazhoranca shqiptare nuk kanë dhënë asnjë sinjal shprese për ndryshim.

BE ka kujtuar se ligji duhet të ndryshohet, se duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe ka nënvizuar fort se këto janë kritere për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Por, në ditën kur lëshohej një deklaratë e tillë, e cila synon fort të mbrojë, siç dhe thuhet tekstualisht, pavarësinë e gjyqësorit e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i ka nisur një letër Kushtetueses, ku i thekson se ka konflikt interesi në shqyrtimin e ligjit për lustracionin.

Ndërsa BE thekson në deklaratën e saj se Kushtetuesja duhet të vendosë për ligjin, përpara se ai të nisë implementimin, Kuvendi i ka kërkuar Kushtetueses që të mos e pezullojë veprimin e ligjit, përpara se ajo të marrë në shqyrtim dhe të vendosë për ligjshmërinë e tij.

“BE i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë të mbrojë - gjithashtu gjatë procesit të lustrimit - pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti Gjykatës Kushtetuese, dhe të gjykatësve dhe prokurorëve.

BE rekomandon se ligji duhet të jetë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, BE konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në gjendje që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit, përpara se ai të implementohet. BE nënvizon rëndësinë e arritjes së një dialogu gjithëpërfshirës politik”, - thuhet në deklaratën e BE.

Këto mospërputhje të forta duket se do ndikojnë në rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa dje kryetarja e Kuvendit ka përsëritur se do të miratohet dhe Komisioni i posaçëm për Verifikimin e Figurave. Edhe fakti që do jetë një komision politik që do verifikojë figurat, ka qenë një nga arsyet pse është kontestuar ashpër ky ligj.

Që përpara miratimit të ligjit, një ditë më pas dhe në vijim prej gati një muaj e gjysmë, çdo organizëm i rëndësishëm ndërkombëtar dhe çdo aleat i Shqipërisë ka nënvizuar fort nevojën e ndryshimit të ligjit. Këshilli i Evropës së fundmi dha disa rrugëzgjidhje. Njëra prej tyre ishte që ligji të shqyrtohej nga Komisioni i Venecias.

Kryeministri, Sali Berisha, premtoi edhe përpara Sekretares së Shtetit në Uashington se do të presë përfundimet ligjore për lustracionin. Por një gjë e tillë nuk duket se po ndodh.

Kriza është në prag, ndërsa duket se Shqipëria ka harruar çështje të tilla si liberalizimi i vizave me klubin evropian, dhe po hedh dyshime dhe mbi kërkesën e saj për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE.

“Duke rikujtuar konkluzionet e Këshillit, të miratuara në dhjetor 2008, Bashkimi Evropian thekson rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit si pjesë e kritereve politike për anëtarësim në BE”, - përfundon deklarata e BE, e cila vjen si një shuplakë ndaj qeverisë shqiptare. Kjo edhe për shkakun se është e dyta deklaratë që presidenca e BE lëshon për këtë arsye dhe që rri në të njëjtën linjë.

Letra e plotë e Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese

“Jeni me konflikt interesi, mos pezulloni ligjin për lustracionin”

I nderuar zoti kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes organeve të medias jemi informuar mbi kërkesa, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me objekt shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.

Në të gjitha rastet e shqyrtimit të kërkesave mbi kontrollin kushtetues të ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, si palë e interesuar, ka mbajtur qëndrim konstruktiv në dobi të mirëfunksionimit të procesit ligjor të shqyrtimit kushtetues të të gjitha kërkesave të paraqitura. Në çdo rast, Kuvendi ka zbatuar me korrektësi vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Për të pasur një gjykim kushtetues të këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese të një procesi të rregullt ligjor, si dhe parimet e gjithëpranuara të së drejtës, ju paraqesim paraprakisht disa komente, të cilat shpresojmë se do të merren parasysh gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesave, sipas nenit 31 të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Një nga parimet themelore dhe universale të gjykimit kushtetues në shqyrtimin e çështjeve është paanësia e trupës gjyqësore (Gjykatës). Kjo nënkupton paanësinë e çdo anëtari të saj. Ky parim qëndron në themel të rendit juridik të të gjitha vendeve të botës duke përfshirë rendin juridik të Republikës së Shqipërisë. Një gjë e tillë parashikohet, si në Kushtetutën tonë, ashtu edhe në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Paanësia do të thotë para së gjithash, që çdo anëtar i trupës gjyqësore në asnjë rast apo rrethanë të mos ndikohet nga asnjë faktor tjetër përveçse ligjit. Në të kundërt, do të kishin një konflikt interesi. Një parim i tillë është fondamental dhe universal për çdo gjykatë gjatë dhënies së drejtësisë. Ai i krijon besimin palëve të interesuara dhe më gjerë, se vendimi do të jetë i drejtë.

Për me tepër, në jurisprudencën tonë kushtetuese, por edhe në atë të Gjykatës së Strasburgut është përvijuar qartë një parim themelor, sipas së cilit drejtësia, jo vetëm që duhet të jetë, por edhe duhet të duket si e tillë. Për pasojë, një vendim gjyqësor i drejtë, jashtë çdo lloj ndikimi në gjykim, krijon premisat e duhura për besimin e shoqërisë në drejtësinë e dhënë prej tij dhe në terma afatgjatë është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shtetërore në Shqipëri.

Ligji “Për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, në nenet 25, 36 dhe 37 të tij, garanton paanësinë e trupës gjyqësore (Gjykatës Kushtetuese) në shqyrtimin e një çështjeje duke i mundësuar çdo anëtari të kësaj trupe që të ruajë paanësinë e trupës, nëse ndodhet në konflikt interesi në rrethanat e parashikuara nga vetë ligji.

Parimi i paanësisë prevalon kundrejt çdo parimi tjetër, qoftë edhe në rastet kur mund të rrezikohej shkaktimi i pamundësisë për të gjykuar një çështje për shkak të mosarritjes së kuorumit për të shqyrtuar çështjen apo për të marrë vendim. Jurisprudenca e Gjykatës Supreme të SHBA na jep shembuj të tillë. Për shkak të konfliktit të interesit në çështjen, “American Isuzu Motors kundër. Ntsebeza”, më pak se një vit më parë, katër anëtarë të Gjykatës Supreme të SHBA, Roberts, Alito, Anthony Kennedy dhe Stephen Breyer, nuk morën pjesë në shqyrtimin dhe marrjen e vendimit në këtë çështje. Pavarësisht se kjo shkaktoi pamundësinë e krijimit të kuorumit të nevojshëm për shqyrtimin e kësaj çështjeje, Gjykata Supreme e SHBA nuk e shqyrtoi këtë çështje, duke lënë automatikisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Në rastin e kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” jemi përballë rastit, kur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 3 të ligjit, do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit. Neni 36 pika 1, germa a e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” parashikon që: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete, kur për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij”.

Në një arsyetim të thjeshtë mund të kuptohet lehtësisht që ai nuk mund të gjykojë një çështje që lidhet drejtpërdrejt me vetë personin e tij. Në këtë rast gjyqtari objektivisht vihet në pamundësi për të gjykuar këtë çështje.

Ligji i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese ka në themelin e tij parimin e paanësisë dhe transparencës së procesit të verifikimit të figurës së funksionarëve shtetërorë apo të të zgjedhurve. Për këtë arsye, ligji kërkon shprehimisht respektimin rigoroz të paanësisë dhe mungesën e çdo konflikti të interesit edhe të anëtarëve të trupës gjyqësore që shqyrton këtë ligj (Gjykatës Kushtetuese). Për këtë qëllim personat që kanë mbajtur detyra shtetërore të përcaktuara në nenin 4 të ligjit, nuk mund të shqyrtojnë këtë ligj apo të zbatojnë atë. Ky parim, ndonëse është i inkorporuar në një nen të ligjit, është kushtetues dhe si i tillë, jo vetëm nuk mund të shpallet si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, por duhet të zbatohet edhe nga vetë ajo.

Ligji i kontestuar në përmbajtjen e tij është i ngjashëm me ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Ky ligj i është nënshtruar kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e cila me vendimin e saj nr. 1, datë 31.01.1996 e ka konsideruar në përputhje me dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe aktet e së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Pa dashur të hyjmë në komentimin e përmbajtjes së ligjit apo të kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, pasi një gjë e tillë do të bëhej në një fazë të dytë të shqyrtimit në seancë plenare, theksojmë se ligji i miratuar në thelb është i ngjashëm me ligjin e miratuar në Republikën e Çekosllovakisë dhe më vonë të Çekisë, i konsideruar si kushtetues dhe konform akteve të së drejtës ndërkombëtare nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi, si dhe nga vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nisur nga një pretendim i kërkuesve për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” gjykojmë se një kërkesë e tillë nuk mbështetet në nenin 45 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ky ligj nuk sjell pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërore apo të individëve (subjekteve që iu drejtohet). Për më tepër pasoja të tilla nuk mund të jenë të menjëhershme për të justifikuar shqyrtimin për marrjen e masës së pezullimit, përpara se kjo kërkesë të shqyrtohej në seancë plenare të Gjykatës Kushtetuese.

As kërkuesit dhe askush tjetër nuk mund të pretendojë se, procesi i verifikimit të subjekteve është antikushtetues dhe si i tillë në vetvete përbën një shkak për pezullimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Transparenca e çdo zyrtari për të kaluarën e tij është detyrimi minimal kundrejt bashkëqytetarëve të tij. Çdokush do të kishte të drejtë të verifikonte fakte dhe rrethana që lidhen me të kaluarën e një zyrtari të lartë në vendin tonë. Nëse do të kërkohej të pezullohej ky proces, atëherë kjo do të ishte një shkelje flagrante e Kushtetutës.

Ky parlament në respekt të plotë të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese mendon se çdo gjykim i ligjit në mosrespekt të principit të shmangies së konfliktit të interesit është një dëm i rëndë për një parim themelor të etikës së gjyqtarëve mbi konfliktin e interesit të përcaktuar në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe në Rezolutën mbi Etikën Gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, miratuar më 23 qershor 2008, e cila thekson:

Pika II. Paanësia

“Gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë që kjo paanësi të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, ashtu si edhe situatat, nga të cilat mund të lindin në mënyrë të arsyeshme konflikte interesi.”

Ju sigurojmë se parlamenti nuk është kundër gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, por situata, që me sa duket ndodhet Gjykata Kushtetuese, kërkon të gjejë mënyrën që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit, të gjejë instrumentet për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë se ka anëtarë të Gjykatës në konflikt të hapur interesi.

Nga sa më sipër, paraqesim kërkesën tonë, si subjekt i interesuar me të drejtë ndërhyrjeje edhe në këtë fazë të procedimit kushtetues për të mos ndërmarrë vendimin e pezullimit të efekteve të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Letra e mësipërme nuk ka si qëllim për të ndikuar qoftë edhe në mënyrën më të tërthortë në vendimmarrjen tuaj. Qëllimi i saj nuk është as të rikujtojë për autoritete të jurisprudencës, sikundër janë figurat tuaja, parime të shtetit juridik dhe të së drejtës.

Qëllimi i saj është shumë i thjeshtë dhe jashtë çdo insinuate politike. Kuvendi kërkon vetëm të sjellë në vëmendjen tuaj, me dëshirën dhe qëllimin e mirë për të kontribuar në një proces të drejtë vendimmarrjeje në çdo fazë të gjykimit tuaj kushtetues.

Është detyrim madhor i kësaj shoqërie të mbajë qëndrim ndaj krimeve kundër njerëzimit, qëndrim bazuar në standarde ndërkombëtare dhe në ligjet e vendit.

Tema, e cila po preket dhe ligji në fjalë, është nga më të rëndësishmet e rendit juridik shqiptar dhe, sikundër edhe është përcaktuar në vendet e tjera të Evropës Lindore, është vija përfundimtare e ndarjes mes demokracisë dhe të kaluarës së egër të një sistemi totalitar. Sepse është i një rëndësie të tillë themelore duhet t’i dedikohet vëmendja, ndjeshmëria dhe profesionaliteti më i lartë që posedojmë. Për pasojë, konsiderojeni këtë letër si kontribut modest nisur nga përvoja shumëvjeçare e Kuvendit në diapazonin e argumenteve dhe kundërargumenteve që do të jeni duke shqyrtuar në ditët dhe muajt ne vijim.

Topalli: Fakti që lustracioni kundërshtohet kaq shumë, tregon progresin e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje se fakti që ndërkombëtarët janë kaq shumë të shqetësuar për ligjin e lustracionit tregon se Shqipëria ka pësuar progres të jashtëzakonshëm. Sipas saj, kjo tregon që Shqipëria ka vetëm një problem, që është ky ligj dhe jo shumë probleme. Entuziazmi i Topalli ka shkuar dhe më tej, kur ka theksuar se ligji ka kufizime, por për një periudhë të shkurtër për disa persona që kanë vrarë. Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se puna e Kuvendit do të vijojë si më parë, duke hedhur kështu poshtë të gjithë kërkesat e ndërkombëtarëve për rishikim të ligjit.

“Fakti që shqetësimi është për ligjin e lustracionit tregon se në fakt, realisht Shqipëria ka ndryshuar dhe ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. Pra, të gjitha problemet e tjera që ne i kemi patur në vite, i kemi lënë. Shqipëria nuk është në krizë, Shqipëria ka një rritje ekonomike si asnjë vend tjetër në skenën botërore, Shqipëria po mbyll procesin e ratifikimeve dhe në prill të jemi në Strasburg, Shqipëria po ndryshon.

Dhe fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë që lidhet me një kufizim për një periudhe të shkurtër të së drejtës “për punësim”, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare. Me sa di unë parlamenti po përgatit edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh, që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor”, - tha Topalli për gazetarët.

Ndërkohë, letra e Kuvendit i është dërguar Kushtetueses. Në të kërkohet që të mos pezullohet ligji. “As kërkuesit dhe askush tjetër nuk mund të pretendojë se, procesi i verifikimit të subjekteve është antikushtetues dhe si i tillë në vetvete përbën një shkak për pezullimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Transparenca e çdo zyrtari për të kaluarën e tij është detyrimi minimal kundrejt bashkëqytetarëve të tij. Çdokush do të kishte të drejtë të verifikonte fakte dhe rrethana që lidhen me të kaluarën e një zyrtari të lartë në vendin tonë”, - thuhet në kërkesë.

PS: Topalli të mos vazhdojë çmendurinë e shefit të saj

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, i bëri dje thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga qëndrimi për të mos ndryshuar ligjin e lustracionit pas kërkesave të vazhdueshme nga ndërkombëtarët.

“Kjo javë ka manifestuar një prani shumë të rëndësishme ndërkombëtare në Tiranë, duke nisur nga organizmat prestigjiozë, si OSBE, BE dhe KE. Kemi pasur vizitën e presidentes së radhës së OSBE, kemi pasur deklarime të presidencës çeke të BE dhe gjithashtu vizita e reporterëve të KE; që në unison kanë kërkuar që ligji i lustracionit të mos zbatohet, si një ligj që bie ndesh me Kushtetutën dhe si një ligj që dhunon të drejtat themelore të njeriut.

Është për të ardhur keq, që ndaj këtyre sugjerimeve të partnerëve tanë euroatlantikë, që në vazhdimësi na kanë asistuar, që Shqipëria të konsolidojë demokracinë dhe të bëhet pjesë e këtyre organizmave, shurdhëria e kësaj mazhorance është manifestuar në mënyrë të përsëritur edhe sot nga znj. Topalli. Ky qëndrim bie ndesh me vullnetin e të gjithë popullit shqiptar për t'u integruar në këtë organizma.

Është për të ardhur keq që kryetarja e parlamentit, si nënkryetare e PD, shprehu koncepte izolacioniste dhe arkaike, që do t'i shkonin për shtat vetëm regjimeve autoritariste”, - tha Dade.

Socialistët kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e Komisionit të Verifikimit të Figurave që del nga ligji për lustracionin. “Zonja Topalli duhet të ketë vëmendjen ndaj atij organizimi, ku ka përfaqësuar Shqipërinë mbi 5-6 vjet, dhe nuk duhet të vazhdojë çmendurinë e shefit të saj për të zbatuar ligjin. Dihet që PSSH ka bërë ankimim pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ne presim bindjen e saj, ashtu sikurse është sugjeruar edhe nga reporterët e KE. Sigurisht, ne mbetemi të hapur për të bashkëpunuar për këtë ligj, ashtu si na kanë sugjeruar ekspertët e KE, OSBE, BE.

Çdo gjë është gati që ne të hartojmë një ligj të përbashkët, duke mos shkelur ato standarde euroatlantike, për të cilat partnerët tanë nuk mund të na justifikojnë”, - tha Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›