Zbogar-Meta, garanci për heqjen e vizave në korrik
Sllovenia përmes kryediplomatit Samuel Zbogar shpreh mbështetjen dhe garancinë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti. Sipas tij, Shqipëria do të jetë pa viza në Bashkimin Evropian brenda vitit 2010. Këtë deklaratë ai e bëri dje gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, gjatë një vizite zyrtare që Meta po zhvillon në Slloveni. Z. Meta ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka shprehur “mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë”. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi gjatë takimit me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar, se “Shqipëria ka potenciale të mëdha për investime sllovene”. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi dhe rolin që kanë dy vendet në Ballkan. “Shqipëria dhe Sllovenia janë faktorë të stabilitetit në Ballkan”, - theksoi z. Meta. Gjithashtu, ai vlerësoi dhe hapjen e ambasadave përkatëse në kryeqytetet e vendeve si një hap që do të intensifikojë më tej marrëdhëniet. Ministri slloven Zbogar pohoi me nota pozitive rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Sllovenia kanë marrëdhënie të shkëlqyera, duke konfirmuar dhe hapjen e ambasadës sllovene në Tiranë së shpejti. Gjithashtu, ministri Zbogar bëri të qartë se është e nevojshme që dy vendet të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik.