Nurja: Rritja ekonomike u konfirmua nga raporti i FMN-së
Drejtoresha e INSTAT-it: Institucioni që drejtoj, të mos përdoret politikisht
U punua disa vjet për shifrat e PBB-së 3-mujore
Publikimi i shifrës së rritjes ekonomike dyshifrore nga INSTAT para pak ditësh ka ndezur një debat, lidhur me vërtetësinë e kësaj rritjeje. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, doli dje në një konferencë për shtyp, për të hedhur poshtë akuzat e shumta se rritja ekonomike nuk është dyshifrore. Nurja ka konfirmuar dje edhe një herë shifrat për rritjen ekonomike, e cila si rritje vjetore për vitin 2008, për periudhën janar-shkurt, rezulton 9.9 për qind. Nurja ka rikonformuar faktin se shifrat janë njohur dhe pranuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Shifrat e nxjerra nga INSTAT mbi PBB-në tremujore janë të konfirmuara nga eksperti i FMN-së dhe madje në komunikimin që kemi pasur, ai kërkon që këto të dhëna të bëhen publike sa më shpejt në website për përdorim të gjerë. Së fundi, doja t’ju bëja me dije se sapo ka mbërritur raporti i ekspertëve të FMN-së, ku konfirmohen zyrtarisht shifrat e bëra publike nga INSTAT”, - tha dje Nurja. Ajo shprehu indinjatën për komentet dhe prononcimet joprofesionale të shprehura në media ditët e fundit në lidhje me rritjen ekonomike tremujore. “Institucioni që unë drejtoj nuk mund të përdoret sa herë që i lind nevoja subjekteve politike apo të ashtuquajturve analistëve ekonomikë, për shifrat që ai publikon herë pas here për interesat e tyre meskine politike”, - tha dje shefja e INSTAT-it. Sipas saj, publikimi i PBB-së tremujore është mund i një pune disavjeçare të specialistëve të këtij instituti dhe nuk mund të përbaltet nga disa deklarata, të cilat kanë thjesht për qëllim fitimin e kapitalit politik. Ajo tha se ky është investimi më i keq që ata i bëjnë shoqërisë dhe politikës shqiptare. “Dua të theksoj se INSTAT nuk merret me mënyrën se si ndikojnë faktorët e brendshëm apo të jashtëm në ekonominë shqiptare, por thjesht i mat ato në mënyrë profesionale, sipas standardeve të institucioneve ndërkombëtare”, - është shprehur dje Nurja. Vetëm pesë ditë më parë, INSTAT bëri publike të dhënat e rritjes ekonomike si tremujor, për periudhën korrik-shtator 2008. Këtë lloj studimi, INSTAT e ka bërë për herë të parë dhe për herë të parë publikoi shifra për rritjen ekonomike 3-mujore. Sipas INSTAT, vlerësimet për PBB-në tremujore janë bërë mbi të dhënat origjinale, si dhe mbi ato të zhveshura nga efektet sezonale. Metoda që është përdorur për të vlerësuar PBB-në tremujore konsiderohet një mënyrë indirekte. Sipas metodës që përdorin, rezulton se ekonomia është rritur me 1.3 për qind në tremujorin e tretë të 2008-s, duke ndjekur kjo një rritje me 2.6 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas treguesve të INSTAT, rritja vjetore e PBB-së ishte 9.9 për qind për tremujorin e tretë të 2008-s. Ndërkaq post-telekomunikacioni u rrit me 12.8 për qind dhe shërbimet e tjera me 2.7 për qind, të cilat kanë kontribuar më shumë në rritjen e PBB-së tremujore. Ndërkohë tremujori i katërt i 2008-s do të publikohet më 30 mars 2009.