E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuset e reja, si mund ta bëjnë vjehrrën aleate



Dueli vjehrrë-nuse është një konflikt i vjetër që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në këtë marrëdhënie. Mamaja e tij po vë në rrezik martesën? Specialistët tregojnë rregullat e mbijetesës dhe japin shpresa se ajo mund të bëhet një aleate. Ka nga ato që kontrollojnë mbeturinat për të parë se mos ke hedhur perimet që sapo kanë nisur të zbuten, por ka edhe nga ato, hipokondriket, që të gjenden në shtëpi në mes të natës, të bindura se po pësojnë një infarkt. Disa tregohen të gatshme për të mbajtur fëmijët, por kur ti ke vërtet nevojë kanë disa punë urgjente për të zgjidhur; të tjerat i mbajnë fëmijët, por pastaj pretendojnë edhe të ndërhyjnë në çdo çështje të edukimit të tyre, sepse “në kohën e tyre gjërat ishin ndryshe”. Përballë kësaj situate, klisheja është gjithmonë e njëjta: gruaja e nxehur me mamanë e bashkëshortit; burri që nuk i thotë asgjë mamasë; gruaja e nxehur me bashkëshortin.
Dhe konflikti i vjetër ecën me kohën. Grupe nusesh të dëshpëruara nuk ngurrojnë të shkruajnë disa deklarata dashurie edhe nëpër faqe interneti të llojit: “Gjermanët i thonë vjehrrës “schwiegermutter”, një fjalë që të kujton “schwiegermonster”, pra shkurt “ankth”.
Sekretet
Po përse marrëdhënia me mamanë e tij është shpesh konfliktuale? Dhe cili është sekreti për një bashkëjetesë të qetë? Janë pyetur për këtë seksologë dhe psikoterapeutë në mbarë botën. “Kemi pasur në terapi vjehrra që e kishin shumë të vështirë të vazhdonin lidhjen me djemtë e tyre pas martesës së këtyre të fundit, për shkak se nuset nuk donin të shkonin për t’i takuar, i ndalonin të kujdeseshin për nipërit dhe refuzonin çdo lloj ndihme për pazarin apo pastrimin e shtëpisë. Ndonjëherë, ato janë gra të thjeshta, që duan vetëm të ndihmojnë; në raste të tjera, është e kundërta: bëhet fjalë për gra “të forta”, që duan të vendosin rregullat. Vjehrrat më të vështira janë mamatë e djemve, sepse vajzat i pranojnë në jetën e tyre më me lehtësi mamatë e veta, duke përjashtuar ato të partnerëve”.
Në rast se nusja nuk grindet me vjehrrën hapur, delegon bashkëshortin si zëdhënës. Pastaj zihet me të. Kontradiktat lindin nga frika e nënave që i biri do të martohet, përveçse me gruan, edhe me vlerat, mënyrat e të menduarit dhe sjelljet e familjes së saj. Për shembull: ai mund të admirojë hapur mamanë e asaj që punon dhe, ndoshta, pa dashur, ta bëjë mamanë e tij të ndihet një shtëpiake të pavlerë. “Dhe ndërmjet vjehrrit dhe dhëndrit mund të lindin fërkime, sidomos kur është një baba xheloz për të bijën ose më i pasur dhe i pushtetshëm se i shoqi”, - sqarojnë specialistët. “Por, në përgjithësi, dëshira për të pasur marrëdhënie familjare të ngushta i përket pak botës mashkullore”.
Lojë rolesh
Ekzistojnë disa role kur mungesa e mirëkuptimit vë në rrezik martesën. Psikoterapeutët përmendin disa prej tyre si: kur partneri nuk shfaq kurrë solidaritet me të shoqen kur kjo kritikohet dhe i beson vetëm të ëmës për zgjedhjet e rëndësishme; kur palët jetojnë shumë afër dhe vjehrra nuk i bie ziles, por përdor çelësat për të hyrë në shtëpi; kur ajo “i fryn zjarrit” në çastin kur ka grindje, mbështet të birin në rast se ka tradhtuar të shoqen dhe e mbron duke mbuluar gënjeshtrat e tij. Por, jo gjithmonë, mënyra më e mirë për të mbrojtur hapësirën tënde është agresioni. Më mirë të tregohesh diplomate: për shembull, mund t’i thuhet vjehrrës të lajmërojë para se të kalojë për t’ju takuar, që të organizoheni për t’i kushtuar më shumë kohë. Me të tëra këto, mamaja e tij mund të bëhet një mikeshë; është e mundur edhe që të ndërrojë një aleancë me nusen, pa dijeninë e të birit: “Nuk keni pse të keni frikë, sepse ju jeni gruaja dhe ajo është mamaja; mund të jetë një grua që ndërhyn, por edhe e gatshme për të ndihmuar. Vjehrra mund të ketë dëshirë t’ju dojë edhe ju”, - përfundojnë specialistët. Ndoshta nuk është më aq e vërtetë ajo që mund të thonë disa gjyshe tërë temperament: “Vjehrrat janë të mira në shtëpi, vetëm në pikturë”. Me siguri flisnin për vete: ishin mamatë e baballarëve tanë (jo shumë larg këtyre të sotmëve në fakt) dhe vjehrrat e mamave tona të mira.

Pesë rregulla të arta për një paqe të hekurt

1. Prezantohu me sinqeritet, shfaq një sjellje miqësore dhe përpiqu të kuptosh çfarë roli ka vjehrra jote në familje.

2. Mos ji skajshmërisht xheloze; shfaq edukatë, respekt dhe, nëse është e mundur, konfidencë. Mund të kritikosh familjen e origjinës vetëm nëse je anëtare e saj, por është shumë e vështirë të japësh gjykime të tilla po të jesh në rolin e nuses.

3. Nëse vjehrra jote është e nervozuar, kërko armëpushim.

4. Bëj një marrëveshje me partnerin dhe pastaj lejoji të tijtë të kujdesen për fëmijët dhe për shtëpinë.

5. Kujtohuni që edhe ju do të bëheni vjehrrë ose mund të jesh tashmë. Në rast se partneri yt ka shumë përgjegjësi familjare, përpiqu ta mbështesësh dhe mos u bëj problemi i tij i tretë.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›