E Diel, 1 Nëntor 2026

Nusja keqtrajton vjehrrën, nuk pranoi të shkonte në azil

04/12/2009  F. Gjoni, 78 vjeçe, denoncon në polici. E moshuara merret në mbrojtje

TIRANE- Dhuna në familjet shqiptare nuk ka kursyer edhe një të moshuar, e cila është detyruar që t’i kërkojë ndihmë policisë së Tiranës, pasi sipas pretendimeve të saj, 78-vjeçarja është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga nusja e dalit të saj. Rasti në fjalë është regjistruar dje, ku në orët e para të ditës në Drejtorinë e Policisë Tiranë është paraqitur 78-vjeçarja F. Gjoni, ku përpara oficerëve ajo ka treguar torturat psikologjike dhe fizike, që i bënte e reja e djalit. Ndërkohë që nga marrja në pyetje e kësaj të fundit, ajo ka pohuar se nuk e ka rrahur dhe goditur asnjëherë vjehrrën e saj. Nusja i tha policisë se F. Gjoni, vuan nga sëmundja e sklerozës dhe për këtë, ata nuk duhet t’i marrin si të mirëqena deklarimet e 78-vjeçares. Sipas burimeve pranë policisë, vjehrra me nusen jetonin në një banesë që ndodhet në rrugën “Komuna e Parrisit”, pallatet “1 Maji”. Prej kohësh midis dy grave kishin lindur debatet, të cilat degjeneronin deri në përdorim të dhunës fizike dhe asaj psikike. Shkak i sherrit janë bërë kërkesat e vazhdueshme të nuses, e cila kishte hedhur idenë që vjehrra e saj, të mos jetonte me djalin dhe nusen, por ajo të strehohej në godinën e azilit të pleqve Tiranë. Mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar në mënyrë kategorike nga 78-vjeçarja, F. Gjoni, e cila edhe pse nuk kishte mbështetjen e djalit të saj, 33-vjeçarit Z. Gjoni, e moshuara vazhdonte të këmbëngulte, duke mos pranuar të jetojë në azil. Ky veprim i ka kushtuar shtrenjtë, pasi nusja ka filluar t’i bëjë presion psikologjik, madje dhe herë pas here vinte dorë mbi 78-vjeçaren. E ndodhur nën këtë terror, F. Gjoni, ka thyer heshtjen duke u paraqitur në polici, ku i ka kërkuar mbrojtje uniformave blu. Specialistët kanë plotësuar kërkesë padinë e të moshuarës, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Më pas e moshuara është transportuar në shtëpi, vend në të cilin oficerët kanë njohur me urdhrin e mbrojtjes nusen dhe djalin e 78-vjeçares F. Gjoni. Ky është rasti i vetëm, ku të moshuarat denoncojnë dhunën psikike dhe fizike nga nuset dhe djemtë e tyre. Në shumicën e rasteve ato zgjedhin të heshtin ndaj këtij fenomeni, gjë e cila i kushton vuajtje dhe dhimbje gjatë jetës së pleqërisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›