E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi paditet për shpifje, kallëzim dhe për Berishën

04/12/2009  Kallëzimi i PS-së

TIRANE- Pas depozitimit dy ditë më parë të tre padive në gjykatë, Bashkia e Tiranës ka dërguar një kallëzim të katërt, kësaj radhe ndaj ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, për veprën penale të shpifjes. Nëpërmjet drejtoreshës së drejtorisë juridike Migena Vishko, bashkia e kryeqytetit ka depozituar këtë të enjte në Prokurorinë e rrethit kallëzimin penal ndaj ministrit Olldashi duke e akuzuar atë për shpifje të qëllimshme ndaj shitjes së tokës tek “Tajvani”. Pak ditë më parë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, akuzoi Ramën se tokën tek “Tajvani” e ka shitur në kundërshtim me ligjin, pasi kjo tokë sipas Olldashit, është shtetërore dhe s’mund të shitet nga bashkia. Një tjetër shkelje e Ramës sipas Olldashit ka qenë edhe çmimi prej 12 mijë lekësh për metër katror me të cilin është shitur kjo hapësirë. Për Olldashin shitja e tokës me këtë çmim qesharak i ka shkaktuar qytetarëve të Tiranës një dëm prej 2,6 mln euro. Përfaqësuesit e bashkisë kanë bërë të ditur se janë duke përgatitur njëkohësit një kallëzim penal ndaj Kryeministrit të vendit Sali Berisha, pas deklarimeve të fundit publike në adresë të Bashkisë së Tiranës. Ata kanë paralajmëruar se drejtësia do të jetë rruga që do të ndjekin ndaj të gjitha shpifjeve në adresë të tyre, apo për raste të shkeljes së kompetencave. Pak ditë më parë PS-ja ka hedhur akuza edhe ndaj Prokurorisë së Përgjithshme duke e akuzuar atë për mosveprim ndaj skandalit të shembjes së tunelit në rrugën Durrës-Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›