E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen 6 milionë lekë në xhaminë e Etem Beut

04/12/2009  Grabitësit hynë nga dritarja që ishte harruar të mbyllej

Policia në kërkim të autorëve. Deri tani asnjë i dyshuar

TIRANE- Grabitësit në Tiranë nuk kanë kursyer edhe xhaminë e Etem Beut që ndodhet në qendër të kryeqytetit. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë policisë së Tiranës, të cilat thanë se persona ende të paidentifikuar kanë mundur të bastisin kasafortën xhamisë muze, duke vjedhur prej andej jo pak, por gati 6 milionë lekë të vjetra. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në qendër tek Sahati kur është konstatuar vjedhja e xhamisë Etem Beu, me administrator Lutfi Çeka 27 vjeç banues në Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë specialistët e seksionit të vjedhjeve, të cilët nga veprimet e para hetimore kanë konstatuar se grabitësit kanë hyrë nga dritarja e xhamisë, e cila mësohet të jetë lënë e hapur nga administratorët e këtij institucioni. Për të bërë identifikimin e autorëve si dhe për dokumentimin ligjor të çështjes, policia ka marrë dëshmitë e disa personave. Aktualisht forcat e policisë janë vënë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vjedhjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›