E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxehtë me këngë

Këngëtarët shqiptarë e kanë nxehur skenën pak para fillimit të pushimeve verore. Dominojnë “single”-at e ndryshëm, ndërkaq albume ka shumë pak. Më “in” është Flori me hitet e tij, por pas nuk mbesin as producentët kosovarë. Nga Ardian Jasiqi më 29 qershor 2011 në ora 18:04

Edhe pse dielli nuk është në shkallën më të lartë të nxehtësisë, kjo nuk vlen për këngëtarët shqiptarë.

Qysh në maj ata kanë paralajmëruar hitet e tyre, përderisa disa këngë, siç është ajo “Tallava” e Florit, janë bërë tashmë hite në çdo diskotekë të shqiptarëve. ‘Tallava’ e Florit fitoi publicitet edhe për shkak të konkurrimit të saj në “Top Fest 8”.

Por, pas nuk kanë mbetur as prodhimet e tjera të Florit. Kënga “Tequilla Vava” është një hit tjetër që Flori e ka realizuar në bashkëpunim me dy këngëtarë kosovarë, Albatrit Muqiqin dhe Nogga Beatbox. Si një limon dhe shumë seksi është paraqitur edhe këngëtarja Vesa Luma në video-klipin e saj “Ti po don”, që e ka realizuar në bregdetin shqiptar, duke mos shkuar në Turqi sikurse disa kolege të saj.

Nga prodhimet e Florit sukses të mjaftueshëm ka pasur edhe kënga e Elvana Gjatës “Kudo që jam”. Por, kjo e fundit është duke u sfiduar nga një këngë e këngëtares tjetër shqiptare Ingrit Gjoni me titull “My Heart is Crying”, e cila ka bashkëpunuar në këtë këngë me Tony Ray.

“Singli” “My Heart is Crying” është një hit tipik veror, përderisa shumë shpejt ajo ka arritur të kalojë më shumë se 20 mijë klikime në Youtube.com.

Por, nuk është vetëm Ingriti që sivjet ka shijuar sukses. Sepse një të këtillë e kanë shijuar edhe duo Ermal Fejzullahu dhe Nora Istrefi me këngën “Unë e di”, e cila tashmë është bërë një hit dhe lëshohet në shumicën e klubeve shqiptare.

Roku po shijohet ndryshe pasi që kënga e re e Genta Ismajlit “Pa ty”, edhe pse këndohet pak “tallava”, është bërë një hit që po ashtu po adhurohet nga shqiptarët. Kënga ka 188 716 klikime në Youtube.com.

Kurse sa i përket muzikës “rap”, aktiv edhe këtë verë është MC Kresha, i cili me spotin “Boni zhurmë” dhe me disa bashkëpunime me reperë të tjerë edhe sivjet duket se do të jetë më “in” prej skenës së reperëve të Kosovës.

Kjo nuk është e tëra. Sepse “single” gjatë verës kanë paralajmëruar edhe këngëtarja seksi Zanfina Ismajli, por edhe Leonora Jakupi.

Spote të reja mësohet se janë duke përgatitur edhe Genta Ismajli, Tuna dhe Ryva Kajtazi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›