E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksionet e para te britanikeve per rrezimin e Enver Hoxhes



S’ka dyshim se shumica e atyre që i dhanë ndihmë PKSH-së shpejt u zhgënjyen me shoqërinë e re të shpallur më 1945-n. Pati një terror të përgjithshëm dhe persekutime të ashpra në spastrimet që Hoxha bëri në radhët e borgjezisë, katolikëve, atyre që nuk ishin komunistë, tregtarëve dhe të huajve, në fakt ndaj çdo njeriu që ai mendonte se ishte kundërshtar i tij me një seri gjyqesh model të kriminelëve kryesorë të luftës. Me sa duket, ndaj kundërshtarëve u përdorën torturat. Britania, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS e njohën Shqipërinë e re në nëntor të vitit 1945. Një muaj më vonë u mbajtën zgjedhje të rreme sipas një liste të vetme të shpallur nga PKSH-ja. Asambleja e dalë suprimoi monarkinë dhe në janar të vitit 1946 shpalli Republikën Popullore me një kushtetutë të modelit sovjetik. Paskëtaj, marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin u keqësuan në mënyrë të shpejtë, mbasi aleatët refuzuan të riatdhesojnë një numër udhëheqësish politikanë nacionalistë, kriminelë lufte, të cilët ishin arratisur në Itali e Greqi, vende këto të okupuara nga Aleatët, të cilëve u ishte dhënë statusi i refugjatëve politikë. Hoxha gjithashtu shante Perëndimin për tentativa për përmbysjen e regjimit të tij. Gjyqe për komplote u përdorën për të akuzuar fuqitë perëndimore për synime të errëta ndaj Shqipërisë 17). Prapa retorikës komuniste, pararojës së shtrembër dhe figurës mistike që Hoxha përdori për të shtypur dhe detyruar popullin të heshtë, pati edhe elementë të së vërtetës. Hoxha kishte arsye që të ishte vigjilent. Në fund të armiqësisë, kur udhëheqësi skuadron, oficeri i SOE-s, Toni Nill, i cili kishte shërbyer në Veri në radhët e katolikëve dhe homologu i tij amerikan u largua nga Shqipëria thuhet se kanë thënë: “Ne do të kthehemi me anë të një rruge tjetër”. Gjatë muajve të fundit të luftës, njësitë britanike dhe amerikane të zbulimit në Itali kishin filluar në fakt që t’i kushtonin një vëmendje të kujdesshme Shqipërisë, jo aq shumë për vetë atë, megjithëse në Britani kishte mjaft njerëz që shqetësonin të shikonin mbretin Zog, i cili në atë kohë jetonte në mërgim në Londër, të kthehej në fronin mbretëror, sesa për marrëdhëniet e saj strategjike me Jugosllavinë dhe Greqinë. Lufta civile ishte gati të shpërthente në Athinë, dhe Titoja i Jugosllavisë ishte në procesin e zhvatjes së Kosovës të banuar nga pesëqind mijë shqiptarë etnikë 18). Në fund të luftës, Forca 399 e SOE-s, ende e komanduar nga Viskaunt Herkant, vazhdonte të fokusonte aktivitetet në Europën Juglindore nga baza e saj në Bari. Bari, ish-qendra e propagandës së Italisë fashiste për Lindjen e Mesme, u bë shtabi i Aleatëve për propagandën e luftës. Sipas Robin Uinks, “buletinet e BBC-së ritransmetoheshin nëpërmjet Radio Barit dhe për një kohë kishin si synim posaçërisht Shqipërinë”. Në Londër, dosjet e shërbimit të zbulimit mbaheshin me të dhëna mbi lëvizjen ilegale në Shqipëri si dhe mbi Shoqatën e Miqve të Shqipërisë, një grup prozogist që përbënte grupimin më liberal anglo-amerikan. Sektori i Kërkimeve dhe Analizave i OSS, Zyra e Shërbimeve Strategjike, kishte filluar të ripërtërijë “Vjtarin mbi guerilasit shqiptarë”, i cili identifikoi deri në pesëdhjetë e pesë grupe guerile dhe njëqind udhëheqës të ndryshëm. Që në fillim të vitit 1944, me gjithë mundësitë e kufizuara për të hyrë në dosjet, ishte e qartë, përfundon Uinks, “se diçka po synohej për Shqipërinë 19). Uinksi bile kujton se në fillim të vitit 1945 disa grupe u hodhën me parashutë në Shqipëri për të marrë takim me grupet fraksioniste, shumica thjesht u zhdukën, megjithëse disa kaluan në Jugosllavi për të raportuar për situatën e turbullt që ekzistonte. Që SOE ishte akoma aktive konfirmohet nga vizita në Bari gjatë verës së vitit 1945 të kreut të Seksionit IX të MI16-s, Kim Filbi. Ndërkohë që ai ishte atje i dobishëm për të marrë një gogol kanakar, që e zgjodhi për parashutim në Jugosllavi, por në vend që të thyente qafën, ai e mbuloi veten me lavdi. Operacionet mund të vazhdonin deri në verën e vitit të ardhshëm, kur SOE zyrtarisht u shpërnda 20). Shërbimi i fshehtë britanik raportonte se Shqipëria ishte nën influencën në rritje të Jugosllavisë, por ajo ndihmohej gjithashtu nga një numër i madh këshilltarësh sovjetikë. Në mars të vitit 1946 Forin Ofisi konstatoi një paralele të afërt ndërmjet depërtimit aktual të rusëve në të gjitha sferat e administratës dhe të njëjtit proces të kryer nga italianët para vitit 1939. I vetmi problem shtrohej nëse Shqipëria do të qëndronte e nënvarur nga Bashkimi Sovjetik apo do të mund të arrinte një status vasal të përshtatshëm 21). Në korrik, një nga tridhjetë e shtatë shqiptarët pranoi në gjyqin e tij se kreu i Misionit Britanik në Tiranën e çliruar, nënkoloneli Ellën Pallmër, i kishte dhënë atij udhëtime para se ai të largohej, që, pas fitores të komunistëve, ai të mbante lidhje me udhëheqësit nacionalistë, Fiqiri Dine dhe Muharem Bajraktari. Ai shtoi se një oficer ndërlidhës britanik, majori Arnëlld, bile i kishte sugjeruar që të vriste Hoxhën. Në sfondin e propagandës antibritanike u zhvilluan bisedime për të zëvendësuar Misionin me një legatë, por që nuk u arrit. Marrëdhëniet me Britaninë përfundimisht morën fund më 22 tetor 1946, kur dy torpedinierë, Saumarez dhe Volafge, ranë në mina në kanalin prej tri miljesh të Korfuzit, kur për rrjedhojë u dëmtuan rëndë dy anijet dhe u vranë dyzet e tre veta. Për hakmarrje, Britania mbajti dhjetë milionë paund floriri, që i takonin Shqipërisë të depozituara gjatë luftës në Bankën e Anglisë (në prill të 1949-n Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë në Hagë e gjeti fajtore Shqipërinë dhe urdhëroi që t’i paguhej kompensimi Anglisë). Ministri francez në Tiranë, Gui Mentan, ishte i vetmi burim i disa copërave informatash të mjerueshme që arrinin në Perëndim 22). Me sa duket, Shërbimi Sekret Britanik ish i angazhuar aktivisht në një planifikim jozyrtar për operacione ndaj Shqipërisë, megjithëse në një shkallë të vogël. Tashmë ishin zhvilluar takime me grupe emigrantësh shqiptarë. Një nga agjentët e MI16–s, rusi i bardhë, gjenerali Turkul, thuhej se kishte një organizatë në Beograd që mbështeste kthimin e mbretit Zog në fronin mbretëror. Sipas burimeve të informuara të Xhon Loftës, në këtë kohë britanikët dhe amerikanët ishin duke planifikuar një kryengritje guerile në Shqipëri për të çliruar vendin nga sundimi komunist. Në anën amerikane operacionet ndiqeshin nga Drejtoria e Dedashmenit Ushtarak (DAD) jashtë Frankfurtit, së bashku me një ekip të Shërbimit të Zbulimit Britanik që vepronte nën maskën e Komisionit të Lartë Britanik në Gjermani dhe që kishte një zyrë ndërlidhjeje me DAD-in në ndërtesën e I.G, Farben. Operacionet e DAD-it mbikëqyreshin nga Komenti Koordinues Luftakak Shtetëror-Detar, ku oficer ndërlidhës i Uashingtonit ishte Frenk Uajznër. Uajnër, ish-oficer i OSS-së, i cili ishte përfshirë në operacione të ngjashme në kohën e luftës në Rumani, ishte një avokat i fuqishëm që rastisi të përfaqësojë interesat financiare të një grupi refugjatësh të pasur shqiptarë, anëtarë të Ballit Kombëtar dhe të lëvizjes mbretërore, të cilët kërkonin zhdëmtimin për humbjen e pasurive të tyre të konfiskuara nga komunistët. Në vitin 1947 Din Eçesën e caktoi Uajznërin zv.ndihmëssekretar të Shtetit për Territoret e Okupuara, një post më tepër zbulues se diplomatik 23). Në shtator të 1947-s, një gjyq tjetër u organizua në Tiranë, ku të akuzuarit pohuan se Misionet Britanike dhe Amerikane i kishin nxitur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër regjimit. Nëse kjo ishte e vërtetë ose jo, ishte oficeri i CIA-s dhe specialist për çështjet sovjetike Heri Rozicki, që zbuloi se disa persona të stërvitur, me sa duket ruajalistë, ishin hedhur në Shqipëri në vitin 1947. Aksioni kryesor si një përpjekje e përbashkët nuk filloi në vitin 1949. Megjithatë, planifikimi filloi në fillim të 1948-s 24). Para se të nisej për në Stamboll në janar 1947, Kim Filbi u tha se përparësia e tij kryesore ishte Bashkimi Sovjetik dhe të mos i kushtonte vëmendje të madhe Ballkanit. Arsyeja me sa duket ishte se mbeturinat e SOE-s ishin akoma aktive në rajon. Rodni Denis, i cili ishte futur në MI 16 më 1937-n dhe kishte marrë një OBE për punën e tij të dyfishtë në Seksionin 5, po operonte si sekretar i parë i zyrës britanike për Lindjen e Mesme në Kajro, kur një operacion në shkallë të gjerë ndaj Shqipërisë porsa ishte parashtruar për diskutim. Më vonë ai i tha Nikolla Bethëllit se sipas mendimit të tij ishin brejtjet e fundit të SOE-S. Për një moment, vite pasi SOE ishte shpërndarë, u kthye aty ku ishte me agjentët në terren dhe në Ballkan, zona e saj e preferuar. Me sa duket anëtarë të Grupit të Shkretëtirës Afatgjatë, të cilët kishin pasur më shumë luftime në Shqipëri se SOE, ishin të parët që u afruan për një mision të tillë, por ishin ose indiferentë, ose skeptikë rreth kundërrevolucionit 25).

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Pse ndërmori SOE në vitin 1941 një operacion të koduar “Valjuebëll” kundër Enver Hoxhës

Si e perceptoi Ambasada Britanike në Beograd përjashtimin e Shqipërisë nga Byroja Informative

Kush ishte personi që donte të eliminonte Enver Hoxhën dhe kush qëndronte prapa tij

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

17 dhe 19. Robin Ëinks, Cloak and Goën; Scholars in America’s Secret Ëars, Collin Harvill, 1987, f. 394-5, f. 226

18 dhe 20. Jon Halliday, Thë Artful Albanian;Kujtimet e Enver Hoxhës, Chato 1986, f.81; Ëinks, f.393-5, Philby, f.16

21. Rothëell, f. 359

23 dhe 24. Rostzke, f. 172; Richard Deacon, A History of thë Russian Secret Service, Nel . 1975, f. 279

25. Philby, f. 142. Bethell, Speis and Other Secrets, f.299, verrier, f. 68

Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›