E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit 4 ditë pa mësim, arsimi fajëson bashkinë

06/12/2008  Shkozet, përmbytet shkolla e mesme “Olsi Lasko”

DURRES- Përmbytja e shkollës së mesme të përgjithshme “Olsi Lasko” në Shkozet të Durrësit ka lënë pa mësim të gjithë shkollën. Uji ka vërshuar në të gjitha mjediset e jashtme duke shkuar deri në 30-40 cm. Kjo e ka bërë të pamundur hapjen e dyerve të shkollës që prej katër ditësh edhe pse dy ditët e fundit reshjet e shiut kanë pushuar plotësisht. Ndaj kësaj situate qëndrimi i drejtuesve të arsimit dhe i bashkisë ka qenë indiferent. Madje palët kanë fajësuar njëra-tjetrën, ndërkohë pa ofruar konkretisht zgjidhje për këtë shkollë periferike, e cila edhe nga ana e arsimit është lënë pas dore. Shkolla “Olsi Lasko” përmbytet sa herë bien shirat, por në ndryshim nga radhët e tjera këtë herë uji i ndenjur nuk lëviz, pasi është dëmtuar qëllimisht kanali që kullon ujin. Drejtori i arsimit, Vaso Papai, dje ka tentuar të provokojë protestë të nxënësve dhe mësuesve para godinës së bashkisë duke fajësuar drejtpërdrejtë kryetarin e bashkisë Vangjush Dako. Papaj është dukur tek shkolla shumë herët dhe është larguar vetëm pasi ka kuptuar se mësuesit dhe nxënësit nuk mund t’i bindeshin për të marshuar në këmbë më shumë se 4 km deri tek godina e bashkisë. Vetëm një pompë uji mjafton për të zgjidhur problemin, por një përpjekje të tillë nuk e ka marrë askush, ndërkohë që drejtuesi i arsimit është përpjekur ta shfrytëzojë politikisht situatën e përmbytjes së shkollës. “Papaj gjithë jetën ia ka futur kot. Kanalet nuk janë të bashkisë dhe këtë Vaso e di mirë”,-ka pohuar Dako pas akuzës së ngritur nga arsimi. Shkolla mbetet pa mësim sa herë që bie shi ngase oborri është nën nivelin e rrugës. Edhe pse portieri i shkollës ka investuar vet për të ngritur pjesën në hyrje të portës, uji në ditë me reshje të mëdha ka depërtuar brenda duke mbytur oborrin. Për të zgjidhur qoftë edhe provizorisht këtë situatë mjafton ndërtimi i një rrugice në një lartësi 30 cm dhe shtrimi i saj me beton për të mos penguar zhvillimin e mësimit. Prej dy vitesh në shkollën “Olsi Lasko” nxënësit apo prindërit e tyre kanë paguar nga 500 lekë dhe 1000 lekë( nxënësit e shkollës me kohë të shkurtuar) dhe kjo shumë u është kërkuar për regjistrim në shkollë. Ndonëse nga të ardhurat e kësaj kategorie janë grumbulluar miliona lekë, shkolla në fjalë nuk ka marrë as mundimin më të vogël për të ndërtuar një rrugicë prej betoni të grumbulluara, ndërkohë që nuk dihet se ku kanë shkuar dhe si janë administruar paratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›