E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit dhe studentët, ja kush përfiton bursë

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, për vitin shkollor 2008-2009, do të japë 190 bursa, për nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike, dhe 1.600 bursa, për studentët që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë. Këshilli i Ministrave miratoi dje, vendimin mbi kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe të studentëve, në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2008-2009. Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, përfitojnë bursë, nxënësit dhe studentët të klasifikuar sipas kushteve ekonomike dhe rezultateve të arritura në mësime. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të hartojë planin e shpërndarjes së bursave, për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë).
Vendimi
Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës.
Kriteri ekonomik
a. Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km, dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b. Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik.
c. Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
Ç. Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
d. Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik.
dh. Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik.
Rezultatet në mësime
a.Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-a.
b.Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari.
c.Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore. Për vitin 2008 janë, gjithsej 30 (tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009.
Ç.Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-a.
d.Studentët, që vazhdojnë studimet në degët Matematikë dhe Fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8.
Fëmijët e policëve
Fëmija, nxënës apo student i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën në krye e për shkak të detyrës, në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës listën për këtë kategori.
Shkollat profesionale
Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës, me notën mesatare mbi 8.
Afati
Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të Këshillit të Bashkisë apo të Komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Edhe studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të Këshillit të Bashkisë apo Komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur Këshilli i Bashkisë apo i Komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti.
Numri i bursave
Numri total i bursave, të planifikuara për nxënësit, që përfitojnë sipas pikës 2.4, të këtij vendimi, për vitin shkollor 2008-2009, është 190, brenda planit të bursave të miratuara po për këtë vit. DAR-ja/Za-ja janë të detyruara t i dërgojnë informacion për numrin e nxënësve, që përfitojnë bursën, sipas këtij kriteri, Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Ku merret bursa
Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet e arsimit të lartë dhe u paguhen, çdo muaj, me kalim, në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat e nxënësve, “Kuota ushqimore”, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes, territoriale dhe administrative, të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë, dhe u jepen nxënësve vetëm me ushqim, në konvikt.

Rastet kur e humbet të drejtën për bursë
Nxënësit dhe studentët nuk e përfitojnë ose/dhe e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
a. janë ndarë nga trungu familjar;
b. familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c. vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç. shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese.

Invalidët
Nga plani i bursave, të miratuara për vitin shkollor 2008-2009, Bashkisë së Tiranës i jepen 15 (pesëmbëdhjetë) bursa të larta, për studentët, që vijnë nga familjet/shtresat sociale në nevojë, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke i përjashtuar nga kriteri, që të vazhdojnë studimet jashtë vendbanimit të tyre.

Jetimët
Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe nuk Shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore, etj., sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kjo kategori nxënësish/studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë shkollat. Nxënësve/studentëve, që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit. Nxënësit jetimë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për rezultate jokaluese. Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.

Procedura
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës harton planin e shpërndarjes së bursave, për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë). DAR-ja/ ZA-ja, pas këshillimit me strukturat e pushtetit vendor, bëjnë planin e shpërndarjes së bursave në bashki dhe komuna, në përputhje me kërkesat e paraqitura, paraprakisht, prej tyre për kategoritë sipas pikës 2.1, të këtij vendimi. Bashkitë dhe komunat, bazuar në planin e përcaktuar për to, nga DAR-ja/ ZA-ja, vendosin me këshillat e tyre për dhënien e bursave, sipas kritereve ekonomike, të përcaktuara në këtë vendim, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë bursë. Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore u dërgojnë institucioneve të arsimit të lartë, bashkive dhe komunave, që menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve/ studentëve, që do të trajtohen me bursë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave bashkiake apo të komunave. Një kopje e kësaj liste dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas pikës 2.2, të këtij vendimi, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2008-2009. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, të këtij vendimi. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës harton planin e shpërndarjes, të cilin ua dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë.
Ky lajm është publikuar: 28/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›