E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat 9-vjeçare, hiqen nga puna 35 mësues pa arsimin përkatës

Autori i Lajmit: red.
Reforma e nisur në sistemin arsimor ka larguar nga puna 35 mësues të cilët figuronin pa arsimin përkatës në shkollat 9-vjeçare të Beratit. Sipas DRA-së në qarkun e Beratit ndodhen 25 shkolla të mesme, të cilat në kuadër të reformës, kalojnë në sistemin e ri trevjeçar duke bërë që shumë prej mësuesve që jepnin mësim në vitin e parë, të kalojnë në vitin e 9-të të ciklit bazë. Burime të po kësaj drejtorie bëjnë të ditur se lëvizjet do të jenë më të theksuara në shkollat që përfshihen brenda territorit të qyteteve, pasi aty cikli i mesëm është i ndarë si objekte nga cikli bazë. Ndërsa në shkollat e mesme të bashkuara nëpër zonat rrurale kalimet janë brenda tyre, pasi të dy ciklet ndodhen brenda një objekti. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Berat, Yzedin Hima, reforma do të prekë rreth 35 mësimdhënës, të cilët deri më sot kanë dhënë mësim në vitin e parë të ciklit të mesëm 4-vjeçar duke kaluar në mësimdhënie të vitit të 9-të të ciklit bazë. Lëvizja do të ketë disa kritere, ku do të spikasë dhe merret parasysh përvoja dhe rezultatet e arritura në vite ndërkohë dhe specialiteti. Mekanizmi i përcaktimit të këtyre kritereve është dhe rezultati i maturave këto dy vitet e fundit në kuadër të reformave tashmë të nisura. Hima ka vijuar më tej se kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme, pasi lëvizje do të ketë dhe brenda ciklit bazë, e cila do të konsistojë në profilizimin e mësuesve në klasat paralele, të cilat ekzistojnë apo do të krijohen në vijimësi. Për sa i përket pagesës në lidhje me mësuesit që do të kalojnë në sistemin bazë nuk ka ndonjë diferencë të madhe, gjithsesi, grupi i punës tashmë i ngritur për këto reforma, është ende duke punuar dhe akoma nuk ka arritur në variantin përfundimtar të lëvizjeve konkrete pra çka do të thotë që për tani nuk mund të publikojmë emra konkretë deri në versionin përfundimtar.
Ky lajm është publikuar: 28/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›