E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendro: “Dhuroni gjak rregullisht, 2 herë në vit”

Autori i Lajmit: red.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, apeloi dje për të dhuruar gjak rregullisht 2 herë në vit, në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë qytetarëve në nevojë për të. “Dhuroni gjak dhe atëherë asnjë gazetar nuk do të vijë këtu të pyesë nëse ka apo nuk ka gjak”, - tha ajo në një prononcim për median, duke theksuar se “nuk duhet të ketë një situatë emergjente që të dhurohet gjak, gjak dhurohet vazhdimisht, pasi vazhdimisht ka njerëz që kanë nevojë për të”. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Qendro u shpreh se “gjatë periudhës së verës, prej vitesh vihet re një pamjaftueshmëri e gjakut, që është e lidhur me rritjen e numrit të aksidenteve”. Sipas saj, nëse gjatë gjithë vitit kemi një plotësim prej rreth 80 për qind të nevojave për gjak, që është një llogaritje për qytetin e Tiranës, gjatë verës ky plotësim i nevojave arrin në 70 për qind të tyre. "Këtë vit, si rezultat i një përgjigjeje mjaft të mirë nga Forcat e Armatosura në dhurimin vullnetar të gjakut, furnizimi ka qenë më mirë se vitin e kaluar, por nevojat nuk plotësohen", - bëri të ditur drejtoresha e QKTGJ. Duke u ndalur tek Strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me dhurimet vullnetare, Qendro tha se “kjo strategji vazhdon, është ende në proces, ndërkohë që objektivat strategjike që kemi pasur për vitin e kaluar i kemi plotësuar dhe po punojmë që edhe këtë vit të plotësojmë objektivat”.

Ky lajm është publikuar: 28/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›