E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit e “26 Nëntorit”, i venë flakën shkollës

30/09/2009  Djegia e lëndës kimike, prishi procesin mësimor të shkollës

Drejtoresha Vidishe Krentja, denoncon në polici 4 nxënës

TIRANE- Flakët e një zjarri brenda ambienteve të shkollës 9-të vjeçare “26 Nëntori”, kanë alarmuar stafin pedagogjik, por edhe drejtoreshën e shkollës Vidishe Krentja, e cila ka lajmëruar menjëherë policinë shtetit për situatën e krijuar. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur dje, ku katër nxënës të kësaj shkolle, i kanë vënë flakën një lënde kimike ende të papërcaktuar nga ekspertët e zjarreve pranë Ministrisë së Brendshme. Mësohet se lënda ishte hedhur në oborrin e shkollës nga katër nxënësit që aktualisht ndaj tyre ka filluar një procedim penal në gjendje të lirë. Ajo ishte gjetur nga katër të rinjtë, të cilët pasi e kishin marrë me vete, gjatë pushimit ia kishin vënë zjarrin. Mirëpo pas këtij momenti, lënda kimike që ngjason shumë me bojërat për lyerjen e banesave, ka marrë menjëherë flakë. Gjatë procesit të djegies, lënda ka lëshuar një aromë të rëndë, gjë e cila është bërë shumë shqetësuese për nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës “26 Nëntori”. E ndodhur në këtë situatë drejtoresha Vidishe Krentja ka njoftuar policinë zjarrfikëse, ku pas ndërhyrjes së tyre është mundësuar shuarja e flakëve. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe punonjës të policisë, për të hetuar rrethanat dhe shkaqet e këtij zjarri të rënë brenda ambienteve të shkollës 9-vjeçare. Nga veprimet e para hetimore, efektivat e policisë arritën të identifikojnë 4 personat që dyshohen si zjarrvënës. Sipas policisë, ata janë nxënësit e kësaj shkolle, Xhuljano K, 15-vjeç, Donald M, 14-vjeç, Jani N, 14-vjeç dhe Xhorxhi B, 14-vjeç. Policia ka marrë në pyetje katër miturit, të cilët nuk kanë dhënë detaje mbi substancën që kishin djegur duke shtuar se nuk e dinin se çfarë ishte. Ndërkohë ndaj nxënësve nisën hetimet në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur, për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›