Nxirren në ankand orenditë e shtëpisë së Dianës
Për të shpëtuar vendin ku prehet Ledi Diana, ikona e trishtuar e romanticizmit të shekullit të njëzetë, vëllai çarlis Spencer, konti i Althorp-it, po shet të gjitha orenditë, veprat e artit dhe karrocat e familjes të shtëpisë në Londër dhe rezidencës së Althorp: 14 mijë hektarë tokë mes Northhamptonshire, Warwickshire dhe Norfolk, ku është rritur Diana, e cila ëndërronte që një ditë të martohej me një mbret. Mes orendive të tjera janë edhe dy piktura, njëra e Rubens dhe tjetra e Guercino-s, të cilat qëndronin varur në muret e kësaj shtëpie prej 120 dhomash.
“Të shpëtojmë varrin e Dianës”, duket sikur bën thirrje vëllai i Dianës me këtë ankand, i cili do të hapet më 6 korrik, por ka njerëz që besojnë se thellë-thellë e gjithë kjo po organizohet për të ringjallur edhe një herë kujtimin e princeshës së Uellsit, në mënyrë që të shërbejë si levë për të bërë biznes. Nuk është e para herë që bien të tilla dyshime mbi 41-vjeçarin çarlis Spencer, dy herë i divorcuar dhe që në shtator të këtij viti do të martohet sërish me Ledi Eliot, ish-modele, e veja e një lordi anglez dhe nënë e tre fëmijëve. Edhe pelegrinazhi pranë varrit të Dianës është kthyer në një pasuri, duke krijuar në parkun e rezidencës një lloj “Disneyland” me dyqane suveniresh, bare dhe vende “të shenjta” për t’u lutur. Ky ankand do të jetë një rrugë mes pankartave, fotografive, kujtimeve më të shtrenjta të princeshës, si dhe orendive të tjera, mes tyre fustani i nusërisë të cilin e veshi më 29 korrik të vitit 1981. Vitin tjetër mbushen 30 vjet nga shqiptimi i asaj fjale fatzezë “Po”, ndërkohë që vazhdojnë përgatitjet për të kremtuar atë datë.
Familjarët bëjnë të ditur se qëllimi i tyre është të ndihmojnë Althorp-in të lulëzojë për brezat që do të vijnë. Pritet që nga kjo trashëgimi të fitohen më shumë se 32 milionë euro. Mes orendive që do të nxirren në ankand, çmimin më të lartë e ka vepra e Rubens, “Një komandant i armatosur në luftë”, pikturuar në vitin 1613 ose 1614 nga mjeshtri flamand (vlera e kësaj pikture shkon nga 12-18 milionë euro). “Kjo vepër e mrekullueshme e Rubens-it, është një nga më të rëndësishmet e artistit që ka mbetur në duar të sigurta në Britaninë e Madhe”, ka shpjeguar zëvendësdrejtori kombëtar për mjeshtërit e epokës dhe artit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. “Bëhet fjalë për një kryevepër të madhe të një muzeu dhe sigurisht që do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve”. Piktura ka qëndruar në shtëpinë e Spencer-ve prej më shumë se dymijë vjet dhe në fillim mendohej se ishte “vetëm” vepër e “shkollës së Rubens-it”, derisa ekspertët arritën të vërtetonin plotësisht dorën e mjeshtrit.
Oferta të mira priten edhe nga piktura e Guercino-s, “Mbreti David”, që daton në vitin 1650 dhe është vlerësuar nga 5 deri në 8 milionë euro. Piktura u ble nga konti i parë Spencer në vitin 1768 për t’u varur më pas në “Dhomën e madhe”, në pallatin e Londrës në St. James, një nga shtëpitë e pakta aristokratike londineze të shekullit XVIII të mbetura të paprekura.
Specialistët e ankandit kanë kaluar tre muaj duke kërkuar nëpër labirintet e Althorp-it dhe arritën të gjenin një thesar të përbërë prej mobiliesh franceze dhe angleze të shekullit të tetëmbëdhjetë, orendi të vjetra porcelani, albume fotografike që tregojnë copëza të historisë angleze, miniatura, sende argjendi dhe karroca historike që u kanë shpëtuar bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore. Mes tyre u gjet edhe karroca që u përdor nga Eduardi VII për kurorëzimin. Ai që ka dhënë gjykimin rreth kësaj karroce mund të jetë, thonë, princi Karl, i cili ndan me paraardhësin pritjen e gjatë për fronin mbretëror. Në fakt edhe mbretëresha Viktoria, ashtu si Elisabeta, nuk kishte ndërmend të vendoste që të bëhej diçka e tillë.
Në këtë ankand mendohet se do të marrin pjesë njerëz të rëndësishëm nga e gjithë bota, pasi është ndërthurur vlera e objekteve të çmuara me magjinë që vazhdon ende të rrezatojë Diana, përmes hirit të saj. Shpresohet që kjo magji të zgjasë deri në momentin kur vendin e saj ta zërë Kejt Midëllton, nusja e ardhshme e princit Uilliam (ceremonia e tyre do të zhvillohet në përvjetorin e 30 të martesës së Karlit dhe Dianës).
Ajo, që është shfaqur mijëra herë nëpër media gjatë ditës së martesës dhe që bëri xhiron e botës me ato fotografi, ëndërronte të njëjtën gjë edhe për Uilliamin. Diana u kish rrëfyer miqve të ngushtë se vetëm ditën e martesës ajo u ndje një princeshë e vërtetë. Tani që do të jetë Kejt Midëllton, e cila do ta përfaqësojë kur të martohet me Uilliamin, do të vendosë në kokë të njëjtën kurorë që mbante ditën e martesës Diana dhe unazën me diamante dhe zafirë të cilën ia dhuroi Karli, ajo nuk do të jetë aty që t’i shohë. Në ëndrrat e princeshës së trishtuar ekzistonte gjithashtu edhe një kishë e mbushur me trëndafila të bardhë dhe dashuria e madhe e të birit për nusen, gjë të cilën nuk mundi ta provonte kurrë kur ishte gjallë. Pas shumë vitesh historia përsëritet, por kësaj radhe do të ketë fund të lumtur.
#