E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, 100 milionë amerikanë të rinj

Burim për t’u shfrytëzuar apo kërcënim? Emigracioni është sot një nga çështjet më delikate në Amerikë. Nën moton “Mjaft më klandestinë”, shtetet e Jugut ua kanë mbyllur dyert të ardhurve të rinj, por kryetarët e bashkive dhe industrialistët e qyteteve të mëdha e kanë kundërshtuar këtë nismë. “Pa emigrantë nuk ka zhvillim”, thonë ata. Fjala e fundit i takon Presidentit Obama Portat e hapura të Amerikës

Në përgatitjen e fjalimit që mbajti dje mbi temën aq delikate të emigracionit, Barack Obama i studioi mijëra herë këto shifra. Të dhënat e “U.S Census Bureau” të lënë pa fjalë. Sipas demografëve të kësaj qendre, brenda 40 vjetëve, popullsia e SHBA-ve do të rritet aq shpejt sa do të ndalë mes shifrave 422-458 milionë, nga 300 milionë që është sot ky numër. Vlerësimet më të kujdesshme të OKB-së flasin për 404 milionë në vitin 2050. Me pak fjalë, rreth 100 milionë më shumë, një rritje kjo rreth një e treta në krahasim me numrin e sotëm të popullsisë amerikane. Gjithçka për shkak të të huajve, numrit të lartë të lindjeve dhe minorancave etnike rezidente. Kuptohet që në Amerikë “ndeshja e frikës” po shndërrohet në një problem serioz me referendumit kundër emigrantëve nga Arizona në Nebraska. Por javën e kaluar, kjo përplasje i ka përfshirë pothuajse të gjithë aktorët. “Emigrantëve nga e gjithë bota, të cilët kanë shpirtin e iniciativës, ne duhet t’u themi: ejani në Amerikë, do t’ju presim krahëhapur”. Janë këto fjalët e Michael Bloomberg, kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, i cili prezantoi më 24 qershor nismën pro emigrantëve: “Partnership for a New American Economy”. është një aleancë e madhe, ku spikasin dy komponentë. Nga njëra anë janë kryetarët e bashkive të metropoleve multietnike, nga Los Anxhelos në Filadelfia, nga San Antonio në Phoenix, të bashkuar nga ngjyra politike. Ndërsa shtylla tjetër përbëhet nga sipërmarrës që drejtojnë industrinë amerikane, nga “Boeing” tek “Disney” apo Hewlett-Packard. “T’u mbyllësh dyert emigrantëve do të përbënte vetëvrasjen e këtij kombi”, paralajmëron Bloomberg. Ai propozon dhënien e “Green Card” të gjithëve atyre që janë në gjendje të ofrojnë punë për rreth dhjetë persona. “Më shumë emigrantë baras me më shumë mirëqenie”, është slogani i kryetarit të bashkisë. Aleati i tij më i çmuar është Rupert Murdoch, pronari i famshëm i televizionit “Fox News” dhe manjati me origjinë australiane. “Fox News” është televizioni që kundërshton hapur politikën e Obama-s, por në këtë rast duket paska kontradiktor. Në rastin e emigracionit, urdhrat e ekipit janë të sakta: nuk do të transmetohen fushata ksenofobe. Për Obama-n zbritja në fushë e dyshes Bloomberg-Murdoch me aleancën kryetarë bashkie-industri, ka nxitur një hapësirë të re manovre. Kjo çështje kaq delikate është konsideruar si binari i tretë i politikës amerikane. Luis Gutierrez, deputeti demokrat i Illinoisit, është një nga 22 parlamentarët latinë, anëtarë të organizatës “Congressional Hispanic Caucus”. Obama u takua me ta në mesjavë, teksa përgatitej për daljen publike. është një bazë elektorale e çmuar. Në vitin 2008, në zgjedhjet presidenciale, dy e treta e hispanikëve votuan për të. “Presidenti do t’i shpjegojë Amerikës përse është e rëndësishme një reformë e madhe. Prioriteti është të gjej një rrugë të barabartë, transparente dhe garantuese për të legalizuar 11 milionë klandestinë”. Një sinjal e ka dhënë edhe John Morton, njeriu i Obama-s, i cili drejton “Immigration and Custom Enforcement”. “Le të ndalojmë ‘ndëshkimet’ e grave dhe fëmijëve që nuk i kanë dokumentet në rregull. Depërtimi duhet të përqendrohet tek elementët e dyshuar për terrorizëm, apo pjesëtarët e organizatave kriminale”. Në të njëjtën kohë, Presidenti ka bërë një hap para drejt shteteve të kufirit më të shqetësuara për shpërthimin e dhunës që ndodh në jug të Tijuanas apo të Rio Grandes, ku lulëzon lufta e narkotikëve meksikanë. “100 policë më shumë në patrullën e kufirit dhe 200 ushtarë në Gardën Kombëtare përgjatë kufirit”, deklaroi Janet Napolitano, e cila drejton “Homeland Security”, Ministrinë e Brendshme të vendit dhe njëkohësisht një nga dikasteret më të rëndësishme. Obama nuk mund ta braktisë këtë çështje me nismën e guvernatorëve të caktuar, apo referendumeve lokale. “Nuk mund të konceptohet që çdo shtet amerikan mund të bëjë një reformë të ndryshme mbi emigracionin”, thotë zëdhënësi Robert Gibbs. Le të marrim si shembull ligjin e miratuar në Nebraska, që i ndalon klandestinët të marrin shtëpi me qira dhe ia beson pronarëve që do të japin shtëpi me detyrën për të kontrolluar dokumentet. Një veprim që shpesh edhe policia nuk është në gjendje ta bëjë dhe ligji antiklandestin i kaluar me referendum në Arizonë rrezikon të shndërrohet në një bumerang. Pritet të shihet nëse kontrollet e reja të policisë lokale do të jenë efikase. Për momentin efekti i menjëhershëm është fushata e bojkotimit të shteteve fqinje, kundër turizmit në Arizona. Po brenda partive? Me siguri “Tea Party” dhe fraksionet ekstreme të së djathtës populiste kanë treguar se mund t’i frikësojnë republikanët e moderuar, në shënjestër për zgjedhjen e tyre në nëntor. Ish-kandidati presidencial, John McCain, pak vjet më parë kishte një qëndrim shumë të hapur mbi emigracionin, ndaj ishte i gatshëm të firmoste një projektligj bashkë me Ted Kennedy-n. Tani që karrigia e tij si senator i Arizonës ndodhet në rrezik, McCain del në mbrojtje: “Më parë të mbyllim kufijtë”. Gjithandej nëpër Amerikë rreziku i kriminalitetit nuk peshon shumë mbi debatin për emigracionin. Të dhënat për krimet janë në rënie, për herë të parë në një periudhë krize ekonomike. Më shumë rëndësi ka fakti se kriza do të lërë trashëgimi 15 milionë të papunë: të huajt janë konkurrentë në një treg pune që akoma s’e ka marrë veten. Por në terma afatgjatë, për të djathtën është e rrezikshme të sigurojë vota pa kaluar këto frika. “Tea Party” perceptohet tashmë si një klub i bardhë. Nëse republikanët do të identifikoheshin për nga ngjyra e lëkurës, atëherë janë të destinuar të kthehen në pakicë. Por edhe pse pas krizës më të madhe ekonomike që nga Depresioni i Madh në Amerikë, për emigracionin shihet një optimizëm i theksuar. Sipas demografit dhe ekonomistit të famshëm Joel Kotkin, që sapo ka publikuar sagën “The next hundread million”, rritja e jashtëzakonshme demografike mbetet shkaku kryesor i vitalitetit të Amerikës. Nuk është vetëm çështje numrash, por freskie rinovimi, dinamizmi. “Nga 100 kompanitë më të mëdha amerikane, 15 janë themeluar dhe administruar nga emigrantët”, thotë Kotkin. “Google”, “Facebook” dhe “Yahoo” nuk do të ekzistonin nëse Amerika do të kishte mbyllur kufijtë. “Brenda gjysmës së shekullit ky vend do të ketë 350 milionë njerëz nën moshën 65 vjeç. Nëse do ta krahasonim me Europën do të thonim se kjo e fundit do të jetë një kontinent i plakur, ku një treta e popullsisë së saj do të jetë mbi 65 vjeç”, vazhdon më tej ai. Demografia nuk ka ndalur kurrë së pasuri një rol të rëndësishëm në përpalljen gjeostrategjike mes superfuqive. “Jo rastësisht Putin ankohet për rrezikun e një dekadence të Rusisë: në vitin 2050 ajo do të ketë humbur 30 për qind të banorëve të saj dhe do të reduktohet në një të tretën e Amerikës”. Rivalja tjetër e madhe, Kina, është bërë prej kohësh subjekt i një plakjeje që do të vendosë në provë të vështirë ndihmën sociale për shkak të mungesës së shtetit të mirëqenies sociale. Kundër këtij bollëku njerëzor, përveç së djathtës ksenofobe po dëgjohen zëra edhe nga e majta. Kotkin ka “armiq” mes ambientalistëve radikalë, që predikojnë edhe mungesën e lindjeve. Peter Kareivan, shkencëtar i “Nature Conservacy” thotë se “të mos bësh fëmijë është veprimi më heroik për të luftuar emetimet e CO2”. Nga ana tjetër, feministja-ambientaliste Colleen Heenan i dënon familjet e mëdha në numër si “të papërgjegjshme për kontributin tyre në shkatërrimin e burimeve natyrore”. Obama duhet të marrë parasysh se edhe mes të majtëve jo të gjithë e konsiderojnë emigracionin si një fat i papritur dhe i rënë nga qielli. Për Kotkin këto akuza janë absurde dhe nuk kanë lidhje fare me natyrën liberale dhe kulturën e një vendi si Amerika. “Hapësira këtu nuk mungon. Kemi më shumë emigrantë se Gjermania, Franca, Anglia, Kanadaja dhe Japonia të marra së bashku, megjithatë dendësia e popullsisë amerikane është një e gjashta e asaj gjermane. Edhe për të shpëtuar planetin duhen ide të reja dhe njerëz të rinj. Për sa i përket cilësisë së jetesës do të jetë shumë më e keqe në ato vende ku mungojnë breza të rinj për të mbështetur popullsinë e moshuar. Pastaj kufijtë e hapur janë përbërës i pandashëm dhe i domosdoshëm i shoqërive të hapura. Amerika nuk do të jetë më si në të kaluarën. Sjellja ndaj emigrantëve na identifikon si tokë e të drejtave, lirive personale, vlerave kushtetuese dhe atyre universale”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›