Plani 10 mln dollarë, për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit
Ndotja e tokës, ajrit, ujit të pijshëm dhe shëndetit të banorëve ishin disa nga fenomenet e rrezikshme që u konstatuan në zonën Patos-Marinzë. Këto elemente problematike për biodiversitetin e kushteve fiziko–kimike të burimeve natyrore, por edhe të shëndetit të banorëve u evidentuan në studimin më të fundit të Ministrisë së Mjedisit. “Në këtë zonë ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte duke zënë një sipërfaqe prej rreth 95 ha dhe duke përbërë një ekspozim të hapur të banorëve ndaj kësaj ndotje”, thuhet në studim. “Aktualisht në Patos-Marinzë evidentohen rreth 117 km trupa ujore të ndotura nga substancat e naftës, duke përfshirë këtu ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjve të kësaj zone. Kjo gjendje e ujërave përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave”, tha ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, vërehet ngarkesë e ajrit me substanca hidrokarbure volatile, sulfide të hidrogjenit apo okside të squfurit, të cilat rrezikojnë gjendjen shëndetësore të banorëve. Kjo, pasi Mediu pohoi se gjendja mjedisore e zonës, por sidomos cilësia e ajrit dhe e ujit të pijshëm të zonës, ka ndikuar negativisht në jetën e banorëve. Duke marrë shkas nga këto probleme shqetësuese që përbëjnë rrezik për gjendjen aktuale të mjedisit të kësaj zone, por edhe të shëndetit të banorëve, Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë një plan veprimi. Kjo, sipas burimeve të kësaj ministrie, ka për qëllim të realizojë rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe shëndetit të banorëve përreth.
Plani i veprimitMbrojtja e zonës Patos-Marinzë nga ndotjet do të jetë një nga prioritetet e Ministrisë së Mjedisit në vijimësi. Ministri i këtij institucioni, Fatmir Mediu, deklaroi se të gjitha kompanitë që merren me nxjerrjen e naftës në këtë zonë, duhet të vetëmonitorojnë veprimtarinë e tyre, duke respektuar parametrat mjedisorë. Mediu sqaroi se janë hartuar plane veprimi për rehabilitimin e zonës, duke u ndihmuar dhe nga vetë kompanitë, si "Bankers Petroleum", e cila që prej vitit 2004 administron një pjesë të mirë të fushës naftëmbajtëse. Plani do të zbatohet në dy faza kryesore. Në të parën synohet reduktimi i ndikimeve të industrisë në këtë zonë mjedisore, por edhe në shëndet me një shtrirje kohore prej tre vjetësh. Ndërsa faza e dytë do të jetë zbatimi i masave në një hapësirë kohore 20-vjeçare, ku synohet edukimi mjedisor i banorëve, restaurimi i peizazhit dhe menaxhimi i mirë i mbetjeve. “Gjatë dy viteve të ardhshme do të financohen 10 milionë dollarë nga organizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë”, theksoi Mediu.
#