Incident në Mitrovicë, një i vdekur dhe 11 të plagosur
Një person ka vdekur dhe 11 janë plagosur nga shpërthimi dje në veri të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur rreth njëmijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve. I vdekuri është doktori Mehsud Gjekoviç, banor i Lagjes së Boshnjakëve. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë rajonale në Mitrovicë, Ergin Mediç. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se përveç shpërthimit, janë regjistruar edhe të shtëna me armë zjarri. "Në orën 10:00, në kohën kur është mbajtur kjo protestë, policia ka regjistruar së paku një shpërthim dhe të shtëna me armë zjarri. Në bazë të informacioneve, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, njoftohet se ka persona të lënduar. Nuk dimë se në çfarë rrethanash apo për sa persona të lënduar bëhet fjalë. Sidoqoftë, mbetet të konfirmohet nga hetuesit policorë që janë në vendngjarje, bashkë me EULEX-in", citohet të ketë thënë Hoti. Njoftohet se të lënduarit janë dërguar në qendrën spitalore në veri të qytetit të kontrolluar nga serbët. Rreth njëmijë serbë janë tubuar që në orën 08:30 të mëngjesit, për të kundërshtuar hapjen e Zyrës së Regjistrimit Civil nga ana e qeverise së Kosovës, në lagjen e përzier etnikisht, Lagjen e Boshnjakëve. Gjysmë ore pas shpërthimit, rreth orës 10:30, sipas policisë, protestuesit janë shpërndarë dhe tashmë rruga është liruar për qarkullim. Të plagosurit janë: Zoran Rakiç, Verica Rakiç, Bogdan Vuçiniç, Gradimir Iliç, Vesna Kuç, Vesna Paviqeviç, Lubinko Gjorgjeviç, Aleksander Dorgjeviç, Ljubinko Vuçiniç dhe Verica Jovanoviç. çdo gjë ka filluar pas alarmit me sirena, një thirrje tashmë e vendosur ndër serbë të pjesës veriore për të protestuar pasivisht. Serbët kishin filluar një protestë dje kundër hapjes së zyrës për regjistrim civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë. Por, derisa po zhvillohej protesta, në mes të pjesëmarrësve, rreth njëmijë të tillë, ndodhi një shpërthim, nga i cili nw filli, e pësuan katër persona, njëri nga të cilët vdiq nw spital. Bëhej fjalë për mjekun pediatër, Mensur Gjekoviç, për shpëtimin e të cilit bënë përpjekje mjekët e spitalit në pjesën veriore të qytetit. Supozohet se shpërthimi ka ndodhur në ndonjë pusetë, prandaj ka pasur më pak viktima. Mirëpo, zyrtarisht ende nuk ka informacione të konfirmuara. Vendi ku ndodhi shpërthimi është afër Shkollës së Mesme Teknike. Ndërkohë, për këto zhvillime ka njoftuar edhe agjencia serbe e lajmeve, “B92”, e cila po ashtu raportoi për protestën dhe shpërthimin e ndodhur. Agjencia thekson se serbët po protestonin kundër qëllimeve të autoriteteve kosovare për të hapur në Lagjen e Boshnjakëve zyrën për dhënien e dokumenteve civile. Lagjja e Boshnjakëve vazhdon të jetë multietnike në pjesën veriore të Mitrovicës. Në urën lindore, që ndan qytetin në dy pjesë, u stacionuan forca të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës. Rreth pasdites situata është qetësuar. Spitali në pjesën veriore të qytetit ka kërkuar gjak për nevoja urgjente. Ende nuk dihen autorët e këtij akti. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, njoftoi kabinetin qeveritar për zhvillimet në veri të Mitrovicën, me rastin e hapjes së zyrës së qeverisë në këtë pjesë të qytetit. Ministri Rexhepi ka njoftuar se po në këtë kohë ka ndodhur një shpërthim granate, larg turmës së protestuesve dhe zyrës së qeverisë, dhe në këtë rast janë lënduar së paku 11 persona. Sipas ministrit Rexhepi, situata është nën kontroll, dhe zyra e qeverisë ka vazhduar të jetë e hapur.
#