E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, mbledhja pa kundërshtarë zhbllokon Këshillin Bashkiak

Të majtët arritën të merrnin disa vendime, pasi në sallë kishte pak përfaqësues të së djathtës

Këshilli i Bashkisë Fier, në mbledhjen e tij të radhës ka mundur të miratojë pothuajse të gjithë rendin e ditës, ndonëse mungonte një pjesë e këshilltarëve të djathtë. Nga 12 pikat që ishin parashikuar të kalonin në votim, vetëm një prej tyre ka mbetur pa u miratuar dhe që kaloi në kontestime. Programi buxhetor afatmesëm për vitet 2011–2013 u miratua në parim nga të gjithë këshilltarët e pranishëm. Ky material prezantohet pranë Këshillit Bashkiak së bashku me buxhetin vjetor, por fakti se ky i fundit tashmë është në dyert e gjykatës, ka bërë që programi të miratohej më vete në mbledhjen e ditës së enjte. Ndërkohë janë miratuar projektvendimet për ndihmën ekonomike, për një ndryshim në strukturën e bashkisë, për një listë shtesë për kredinë e butë, për strehimin etj. Ndërkohë u miratua jashtë rendit të ditës lista e adresave të qytetit Fier, gjë e kërkuar me urgjencë nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë, pika e pestë e rendit të ditës, e cila kishte lidhje me një marrëveshje që duhet të lidhë Bashkia Fier me FK “Apollonia” Sh.a., me qëllim përdorimin prej këtyre të fundit të ambienteve të stadiumit “Loni Papuçiu” dhe anekseve sportive, nuk u arrit të miratohet. Disa këshilltarë të djathtë kërkuan më shumë informacion në lidhje me këtë aktmarrëveshje, të përfitimeve të bashkisë dhe kushteve të saj dhe për këtë arsye votimi kaloi në mbledhjen e radhës. Ndërkohë, ashtu siç ishte kërkuar një ditë më parë nëpërmjet një deklarate për shtyp nga kreu i shoqatës së ish të përndjekurve politikë Bajram Karajfili, ditën e enjte ky i fundit ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë, me shpresën e marrjes së një vendimi të pritshëm tashmë prej afro 20 vjetësh. Karajfili ka kërkuar nga Këshilli Bashkiak në përfundim të mbledhjes shqyrtimin e kërkesës së tij për miratimin e një sheshi ndërtimi për ngritjen e një obelisku për të gjithë martirët e përndjekur nga sistemi diktatorial. Por kjo kërkesë jo vetëm që nuk u shqyrtua, por as nuk kaloi për diskutim në parim, duke e lënë atë për mbledhjen e radhës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›