E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxitësi i debatit

Dramaturgu Jeton Neziraj e ka marrë çmimin për nxitje të debatit nga OJQ ‘Iniciativa për Progres’. Megjithëse ndodhet jashtë vendit, Neziraj e ka dërguar një fjalë rasti, në të cilën shprehet se në Kosovë ka kontroll politik mbi artin dhe kulturën.

Nëse është dikush që s’ka pushuar së foluri rreth problemeve me të cilat është përballë jo vetëm Teatri Kombëtar por edhe kultura kosovare në përgjithësi, atëherë ai është dramaturgu Jeton Neziraj. Për këtë angazhim të tij, Neziraj u shpërblye me çmimin për nxitje të debatit nga organizata joqeveritare ‘Iniciativa për Progres’.

Meqenëse ndodhet jashtë vendit, ai e dërgoi një fjalë rasti, në të cilën thotë se ndihet krenar, sidomos për faktin që ky çmim sivjet i shkon një ‘kauze kulturore’. Në vendin tonë, sipas tij, çështjet kulturore, të çfarëdolloj formati e konteksti, asnjëherë nuk ia kanë dalë të marrin vëmendjen e merituar.

“Debatet për kulturën në shtetin e ri kosovar u kanë përngjarë zhurmave të ‘pazareve’ tona të vobekta, britmave të atyre që shesin e të atyre që blejnë, ndonjë kërcëllime karrocash, tek-tuk ndonjë zhurme teneqeje apo ndonjë fshikullime në ajër. Por, vetëm kaq, jo më shumë. Ehoja e secilit debat në pazarin tonë kulturor, për çështje të rëndësishme e të parëndësishme, është mbytur brenda vetvetes. Në pazarin tonë të varfër kulturor vazhdon të dominojë mendësia dhe mentaliteti provincial, ndërkohë që shteti vazhdon të mbështesë kauza që, para se zhvillimin, synojnë bunkerizimin kulturor”, u shpreh, me këtë rast, Neziraj.

Ai shtoi se në Kosovë ka kontroll politik mbi artin dhe kulturën. Dhe ky kontroll, sipas tij, manifestohet në të gjitha institucionet kulturore publike e jopublike. Për më tepër, shton ai, ky është kontroll i një mendjeje të ndryshkur politike anakronike, e cila kulturën e këtij vendi e trajton si një paçavër, me të cilën përpiqet t’i fshijë të palarat dhe marrëzitë e veta.

Neziraj nuk la pa kritikuar Ministrinë e Kulturës, e cila, sipas tij, artistët po i shndërron në klientë.

“Ministria e Kulturës, e drejtuar nga një ministër i dobët, ngadalë por me sukses, po e instalon sistemin e ‘klientelës’. Duke i shndërruar artistët në klientë, ajo po e zhvillon suksesshëm taktikën e ‘shukatjes’ e të ‘trullosjes’ kulturore. Kësisoj ajo, në ambientin tonë kulturor, po e instalon një garniturë servilësh, të cilët për një kockë të dhuruar janë në gjendje t’ia sheshin shpirtin djallit”, u shpreh Neziraj.

Ai shtoi se politikat ‘kulturore’ partizaneske, fisnore e manipulative, të cilat kanë nisur të lëshojnë rrënjë në jetën kulturore në Kosovë, duhet të na shqetësojnë. Këto, sipas tij, janë metoda të sistemeve totalitare, janë metoda të sistemeve që ngritën mbi logjikën e diktatit, të kontrollit e të trysnisë.

Ai i përmend dy shembuj që i konsideron si më të turpshëm të këtyre politikave ‘kulturore’ që ai i quan banditeske: ndalesa që iu bë shfaqjes ‘Çifti Martin’ për pjesëmarrje dhe paraqitje në Teatrin Atelje 212, në Beograd, dhe vendimi politik arbitrar për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në fund, Neziraj tha se për fat të keq, viti 2011, të cilin po e lëmë pas, është vit i përdhosjes kulturore në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›