E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxitja e deklarimit, Tatimet parashikojnë edhe lotari kombëtare



“Blini me kuponë fiskalë që të fitoni dhurata”. Kjo është një tjetër strategji që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po diskuton për t’ia propozuar Ministrisë së Financave. I marrë si një shembull nga Mali i Zi kjo mënyrë synon dhënien e një impulsi konsumatorëve shqiptarë të cilët përmes marrjes së kuponit fiskal do të bëhen pjesë e një lotarie me dhurata. Në Mali i Zi ka një lotari të organizuar nga shteti ku të gjithë njerëzit hedhin kuponët me numrin përkatës në vendet e caktuara duke lënë numrin e telefonit. Çdo javë hidhet lotaria dhe fitohen shumë dhurata si televizor, frigorifer apo edhe sende të tjera me vlerë më modeste. Por për t’u aplikuar kjo skemë në Shqipëri duhet një akt nënligjor sepse do të bëhet një shpenzim, organizim dhe duhet të merren masa që të mos këtë abuzime për sa i përket caktimit të fituesit. Përveç Malit të Zi edhe Maqedonia është një tjetër shtet shembull ku ekonomia është totalisht e formalizuar dhe marrja apo dhënia e kuponit fiskal tashmë është një kulturë. Asnjë biznes për çdo shërbim që kryet apo mall që blihet nuk të lë pa kuptonin fiskal. Ideja e strategjisë së re të tatimeve është një nxitje për konsumatorin që të kërkojë faturën fiskale. Këta të fundit që dalin nga kasat fiskale janë një detyrim për të gjithë biznesin përfshirë në TVSH.

Kuponi tatimor, mosmarrja penalizon edhe blerësin

Në të njëjtin proces si me kasat fiskale duhet të ecë edhe iniciativa e tatimeve për të bindur biznesin që për çdo mall apo shërbim të shitur duhet të lëshojë kupon tatimor, pra faturën. Bashkëngjitur me vendimin për pajisjet fiskale, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje të gjitha bizneseve në rang vendi që çdo lëvizje të brendshme të mallrave nga magazina në magazine, nga magazina në dyqan apo anasjellas, në rastin e shitjeve derë me derë, në raste furnizimesh të mëdha, ku kërkohen disa mjete dhe ngarkesa transporti, duhet shoqëruar me faturë, e cila gjendet pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Mosmarrja e kuponit tatimor (faturës së mallit) e penalizon edhe blerësin ose përfituesin e shërbimit, përveç subjektit. Sipas ligjit: “Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1000 lekë. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit ku kryen shkeljet”.

13 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›