BlackBerry” nga Vodafone sheh kërkesë të lartë në Shqipëri
Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania Haris Broumidis tha dje se në më pak se një vit nga prezantimi ekskluziv në Shqipëri i shërbimit dhe aparateve telefonikë “inteligjentë” BlackBerry®, kompania është përballur me kërkesa të larta prej bizneseve dhe përdoruesve individualë. “Ne prezantuam shërbimin dhe aparatet BlackBerry ekskluzivisht për tregun shqiptar në pranverën e vitit 2009. Sot, mund të shprehemi me krenari se përgjigja nga konsumatori i ka tejkaluar dukshëm pritshmërinë tonë”, – shprehet Broumidis. Sipas tij, kërkesat më të larta vijnë prej bizneseve dhe institucioneve të cilat janë shumë të varura nga komunikimi intensiv përmes e_mail-it në aktivitetet e tyre të përditshme, por, ishte surprizë vëmendja që përdoruesit individualë kanë treguar ndaj këtij produkti. Më tej, drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, shton se shumë shpejt kompania do të njoftojë të tjera oferta për përdoruesit individualë përmes fillimit të shërbimeve BlackBerry me parapagesë. Vodafone Albania dhe zotëruesi i shërbimit BlackBerry® - “Research In Motion” (RIM) njoftuan marrëveshjen e tyre të bashkëpunimit në qershor të 2009-s. BlackBerry® njihet në gjithë botën si një zgjidhje e komunikimit tërësor kryesisht përmes platformave të postës elektronike të bizneseve të mëdha, por që mund të përshtatet plotësisht për të plotësuar kërkesat e një personi të vetëm apo një ndërmarrjeje të tërë, në çfarëdo shkalle dhe në çfarëdo industrie.
13 Mars 2010