E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: 25 për qind e shqiptareve me çrregullime mendore

25/11/2011  Dominojnë çrregullimet e stresit, ankthit, depresionit e skizofrenisë

Mungesa të theksuara në kapacitetet e stafe të specializuara për trajtimet

Përhapja e çrregullimeve mendore në vendin tonë po merr përmasa alarmuese, çka faktohet me shtimin e shpejtë të numrit të pacientëve që manifestojnë këto probleme.

Duke iu referuar të dhënave të raportuara nga institucionet mjekësore, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë komunikuar se brenda një viti 25 për qind e popullsisë shqiptare u drejtohet qendrave të shëndetit mendor dhe spitaleve psikiatrike, pasi kanë shqetësime mendore. Ndër çrregullimet më të shpeshta pohohet të jenë çrregullimet e ankthit, depresionit dhe skizofrenia, shqetësime të cilat nuk kanë kursyer as moshat më të vogla. Por ajo që klasifikohet si më shqetësuese është mungesa e kapaciteteve për evidentimin dhe trajtimin e tyre në kohë. Prej vitesh dikasteret mjekësore kanë deklaruar marrjen e masave dhe shtimin e hapësirave për trajtim, masa të cilat nuk kanë dhënë rezultat, pasi realiteti tregon shifra alarmuese të përhapjes. Ekspertë kanë pohuar se problem mbeten shtrimet e panevojshme të personave me çrregullime dhe shumë nga pacientët dalin të pakuruar plotësisht. Arsyeja kryesore janë kapacitetet e ulëta të spitaleve psikiatrike. Eksperti i shëndetit mendor Anasta Ruli, që për vite me rrahë ka drejtuar edhe shërbimin e psikiatrisë, ka pohuar se sëmundje të tilla janë tepër të vështira për t’u zbuluar, ndërkohë që ata që janë diagnostikuar nga sëmundje të tilla vuajnë në psikiatri nga mungesa e barnave të rimbursueshme dhe shtretërit e paktë e të vjetruar. Më e renduar gjendja është në rrethe, pasi jo vetëm që mjekët nuk janë të specializuar në trajtimin e këtyre rasteve, por kapacitete e shtrimit pothuajse mungojnë. Resuli ka shtuar se edhe reforma që këta të sëmurë të trajtohen edhe në qendra komunitare nuk ka funksionuar. Sipas Rulit, reforma do të jepte rezultate nëse do të siguronte ngritjen e shtretërve psikiatrik edhe në spitalet e përgjithshme, mjekë profesionistë dhe secila prefekturë në vend të ketë një pavijon për të sëmurët mendorë.

Shqetësuese shfaqet mungesa e kapaciteteve dhe personave të specializuar në trajtimin e hershëm të këtyre simptomave. Në një aktivitet mbi sfidat e shëndetit mendor mes OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësie mjekët theksuan se numri i psikiatërve dhe psikologëve në raport me popullsinë është i ulët, pasi 1 psikiatër duhet t’u përgjigjet afro 34 mijë banorëve, ndërsa psikologë mbi 100 mijë personave, çka shtron nevojën për shtimin e tyre.

Rreth 25 për qind e popullsisë shqiptare vuan nga çrregullimet mendore dhe format më të shpeshta të përhapjes janë stresi, depresioni dhe skizofrenia. Të dhënat tregojnë se çdo person të paktën një herë gjatë jetës së tij kalon në depresion, ndërsa 1 në 4 shqiptarë e përjeton atë në gjendje më të rëndë, që kërkon mjekim. Ndërsa kapacitetet për trajtimin e tyre si dhe barnat e rimbursimit për këtë janë tepër të ulëta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›