E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë që rrezikohen nga kursi i këmbimit dhe interesat

25/11/2011  BSH: 60.8% e kredisë e dhënë për bizneset dhe 26.5% për individët me interesa të ndryshueshme

Kreditë e dhëna nga sistemi bankar për individët dhe bizneset rrezikohen gjithnjë e më shumë nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit. Kjo do të thotë se ata qytetarë apo biznesmenë që kanë marrë kredi në monedhë të huaj, apo kanë bërë një kontratë për norma të ndryshueshme interesi përgjatë viteve të shlyerjes janë më të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve. Banka e Shqipërisë publikoi raportin e fundit mbi stabilitetin financiar të vendit, ku ka bërë një analizë për ecurinë e sektorit bankar dhe rreziqet që mund të vijnë nga kriza e Eurozonës.

Situata

Një rrezik është ai që lidhet me kursin e këmbimit. Edhe pse bankat në sistemin shqiptar janë në gjendje të mirë financiare dhe kanë likuiditet të bollshëm, për shkak të rritjes së fortë të depozitave, rreziqet nga kriza janë rritur. Kjo për shkak të rënies së fitimit të bankave dhe uljes së kapitalit. Në muajin qershor pozicioni debitor i bizneseve arriti 255.6 miliardë lekë, duke u thelluar me 35 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, individët e kanë zgjeruar ndjeshëm pozicionin e tyre kreditor, pasi ai shënoi vlerën 559 miliardë lekë, rreth 97.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Bizneset dhe individët

Gjatë periudhës, sipas BSH-së, huamarrja e bizneseve është rritur 14.6%, ndërkohë që huamarrja e individëve është rritur vetëm me 5.3%. Ndërkohë, depozitat janë rritur me 10.2% për bizneset dhe 17% për individët, duke dëshmuar për një rritje të kursimit nga ana e qytetarëve. Në qershor të 2011, kredia në valutë përbën 66.4 për qind të totalit të kredisë së marrë, por edhe pse është në të njëjtat shifra si një vit më parë, për bizneset situata debitore paraqitet shumë më e thelluar në valutë krahasuar me pozicionin debitor në lekë. “Në qershor të vitit 2011, bizneset janë debitorë ndaj institucioneve financiare për rreth 191.4 miliardë lekë në formën e kredisë në valutë dhe vetëm për rreth 64.2 miliardë lekë në monedhën vendase. Gjithashtu, raporti “Teprica e kredisë e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit ndaj tepricës totale të kredisë” për bizneset ka shënuar rritje në muajin qershor 2011. Vlera e tij është 36.3 për qind krahasuar me 35.1 për qind të një viti më parë”, - thekson raporti. Ndërkaq, rreth 41 për qind e kredisë së dhënë për individët është e pambuluar, duke u bërë objekt i rrezikut të kursit të këmbimit, ndërsa një vit më parë ky raport shënonte 42.5 për qind.

Normat e interesit

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, 60.8% e tepricës së kredisë për bizneset përbëhet nga kredi me normë të ndryshueshme interesi. Sipas analizës së BSH-së, ky raport është rritur krahasuar me qershorin e vitit 2010, me 1.6 pikë përqindje duke i ekspozuar më shumë bizneset ndaj luhatjeve të normës së interesit. Në rastin e individëve, rreth 26.5% e tepricës së kredisë është dhënë me normë interesi të ndryshueshme. Ky raport është zvogëluar me 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë dhe 1.1 pikë përqindjeje krahasuar më një tremujor më parë. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se të dyja këto kategori mund të ndeshin vështirësi për shkak të rritjeve eventuale të normës së interesit, ndonëse për të ardhmen, rritja ekonomike botërore dhe në vend nuk pritet të përshpejtohet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›