OBSH: 55867 raste me virusin H1N1, Shqipëria ende në këtë zonë
Numri i personave të prekur nga virusi A (H1N1) ka arritur në mbi 55 mijë vetë, duke u përhapur në mbi 100 vende dhe zona të ndryshme të botës. Ndërkohë që Shqipëria nuk përfshihet në hartën gjeografike të përhapjes së këtij virusi. Bazuar në raportimin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (24 qershor) mbi përhapjen e virusit në botë, vihet re se hartës së përhapjes të virusit i janë shtuar dhe 14 vende, apo zona gjeografike, duke arritur në 108, nga 94 që ishte 5 ditë më parë (sipas raportimit të datës 19 qershor).
Në fund të muajit maj (sipas raportimit të datës 29 maj), ky numër ishte 53. Numri i rasteve të të infektuarve nga ky virus është rritur me 11,850 brenda 5 ditëve të fundit (bazuar në raportimin e OBSH, data 19 qershor), duke e çuar numrin total të të prekurve në të gjithë botën në 55,867. Sipas OBSH-së, deri tani, numri i vdekjeve nga virusi A (H1N1) ka arritur në 238. Përhapja e madhe gjeografike e virusit A (H1N1) ka detyruar OBSH-në të rrisë disa ditë më parë shkallën e pandemisë në 6, që është dhe shkalla më e lartë. Kjo është hera e parë në 40 vjet e një përcaktimi të tillë, ndërkohë që shpallja e gripit epidemik (shkalla 6 e rrezikut) nuk do të thotë se sëmundja është bërë më e rëndë, por është shtuar numri i njerëzve të infektuar në rajone të ndryshme të botës. Shqipëria nuk është prekur nga ky virus deri në këto momente.