E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Mbi 4 mijë të vdekur nga virusi A/H1N1

Gripi H1N1 ka shkaktuar të paktën 4 525 të vdekur në 191 vende dhe territore të globit që prej shfaqjes së virusit të ri në mars, sipas bilancit të fundit të Organizatës botërore të shëndetësisë (OBSH) i publikuar ditën e premte.
Sëmundja vazhdon të përparojë në hemisferën veriore, sidomos në Shtetet e Bashkuara, në Meksikë, në disa pjesë të Kanadasë, në Irlandë, në Belgjikë, në Holandë, në Izrael dhe Japoni, vende ku është regjistruar një numër mjaft i lartë të prekurish, shtoi një zëdhënës i OBSH-së, Gregory Hartl, i pyetur nga AFP-ja.
Por, piku i përhapjes së virusit pandemik "ka kaluar në Francë", bëri të ditur ai. "Megjithatë, të gjithë duhet të jenë gati për një tjetër valë në dimër", shtoi zyrtari.
Ndërkohë që sëmundja ka shënuar rënie të dukshme të numrit të të prekurve në hemisferën e jugut, të paktën 378 223 persona janë prekur prej tij në të gjithë botën, mësohet nga të dhënat e fundit të OBSH-së që thekson se kjo shifër është përtej realitetit duke qenë se shumë vende nuk i llogarisin me rigorozitet të gjitha rastet.
Amerika e Veriut, ku virusi është shfaqur në pranverë, deri më tani ka bilancin më të rëndë me 3 292 të vdekur dhe 146 016 të regjistruar si të sëmurë.
Evropa numëron më tepër se 59 000 raste dhe të paktën 193 të vdekur, bën të ditur organizata e OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›