E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH: Shqipëria të gjejë vetë vaksinën kundër gripit

 

Vendi ynë ka shumë gjasa të mbetet pa u mbuluar me vaksinën kundër gripit të derrave. OBSH nuk jep asnjë garanci nëse Shqipëria do jetë në listën e vendeve që do ta marrin apo jo. Kompanitë farmaceutike që e prodhojnë kanë interes ua shesin atë vendeve të mëdha, e për rrjedhojë ne kemi pak shanse.
Sipas përfaqësuesit të OBSH në Tiranë, nga pikëpamja globale OBSH do të marrë një sasi vaksinë, por ajo do të rezervohet për vendet e varfra dhe ato me numër të madh të prekurish. “Për Shqipërinë është e rëndësishme që ministria ka kontaktuar me disa vende dhe ne po punojmë së bashku për të marrë një pjesë të vaksinave. Por le të themi që nuk ka ende një zgjidhje. OBSH po diskuton me industrinë farmaceutike, por nuk kemi arritur në përfundime. Është e rëndësishme të negociojmë që vendet e vogla të mund të sigurojnë vaksinën. Vendet e rajonit p.sh mund të bashkohen dhe të porosisin së bashku një sasi vaksinash, çka do të rriste numrin dhe do të ishte në interes të firmës farmaceutike”, tha Anshu Banerjee, përfaqësuesi i OBSH-së në Tiranë. Nëse vendi ynë nuk arrin ta sigurojë vaksinën, atëherë shanset që të kemi një epidemi të përmasave të mëdha janë të sigurta. Madje një pjesë e mirë e pacientëve do të kenë edhe komplikacione. Vala e re e prekjes nga gripi pritet të shënojë më shumë raste që në dy javët e para të shtatorit. Piku parashikohet të jetë në muajt dhjetor-janar. Sipas programit të përmbyllur tashmë nga ISHP, nëse sigurohet një sasi dozash të parët që do përfitojnë janë gratë shtatzëna, fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Këto janë grupet e riskut ku edhe pasojat e gripit janë më të rënda. Sidomos te të sëmurët kronikë, ku virusi është shumë agresiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›