E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpëtojnë” pronat e Dritan Dajtit

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria do t’i sekuestrojë pronat e Dritan Dajtit nëse ai nuk justifikon burimin e tyre. I pandehuri për vrasjen e katër policëve në Durrës, po i nënshtrohet një hetimi pasuror nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit u ka dërguar një kërkesë bankave të nivelit të dytë, zyrës së Tatimeve dhe Hipotekës për evidentimin e pronave të regjistruara në emër të Dritan Dajtit dhe të afërmve të tij. Hetimi pasuror është filluar nga Krimet e Rënda me qëllim verifikimin e aktivitetit të personit të kërkuar gjatë gjashtë viteve të qëndrimit të tij në liri, që kur u arratis nga Gjykata e Tiranës në nëntor 2003. Policia ka të dhëna se Dajti ka kryer aktivitete të paligjshme me fitime të mëdha financiare. Këto materiale ende nuk janë referuar në Prokurori, megjithatë kjo e fundit ka nisur hetimin e pasurive të Dajtit. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë dje se, pavarësish hetimit që po bëhet, qëllimi i parë është evidentimi i pronave të të dyshuarit, pasi bllokimi i tyre nuk mund të bëhet për sa kohë 38-vjeçari akuzohet vetëm për vrasje. Ky krim hyn në kategorinë e veprave penale “kundër personit” dhe sipas ligjeve në fuqi, nuk konsiderohet veprimtari kriminale fitimprurëse si trafiqet apo krime të tjera. “Për sa kohë Dajti akuzohet për vrasje, pasuria e tij nuk mund të sekuestrohet në mënyrë direkte në funksion të këtij procedimi penal”, thanë burimet. Por sipas tyre, pas verifikimit të pronave në zotërim të tij, bllokimi i tyre mund të vijë në rast se ai nuk arrin t’i justifikojë ato. Për çdo pronë që gjendet në emër të Dajtit apo të afërmve të tij, Prokuroria do të verifikojë burimin financiar me të cilin është vendosur pasuria. Sekuestrimi i aseteve vjen vetëm në rast se bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat nuk justifikohen se janë vendosur me burime të ligjshme.
Pronat e Dajtit
Nga verifikimet e deritanishme është zbuluar se Dajti ka në pronësi të tij edhe një autoveturë tjetër, veç makinës me të cilën po udhëtonte kur policia tentoi arrestimin e tij më 7 gusht në Durrës. Pas dy makinave është konfirmuar se ai zotëron dy banesa në Tiranë dhe disa prona të tjera në qytetin e Durrësit. Por pasuritë e paluajtshme duket se nuk janë objektivi kryesor i hetimit. Prokuroria kërkon të dhëna për llogaritë bankare në emër të 38-vjeçarit, që akuzohet për vrasjen e katërfishtë të oficerëve të policisë. Sipas hetuesve, në rast se informacionet policore për trafik narkotikësh dhe gjobëvënie qëndrojnë, atëherë ka shumë gjasa që transaksionet bankare të kenë qenë pjesë e veprimtarisë kriminale. Në këtë mënyrë, organi i akuzës u ka kërkuar bankave fillimisht identifikimin e llogarive në emër të Dajtit dhe të afërmve të tij e më pas kontrollin e transaksioneve që janë bërë me shumat monetare.
Udhëtimet mister
Një pjesë e mirë e lëvizjeve të Dritan Dajtit gjatë qëndrimit të tij në arrati pas vitit 2003 mbeten mister. Kjo për faktin se ai nuk ka përdorur identitetin e vërtetë gjatë nxjerrjes së dokumenteve. Deri më tani policia nuk ka arritur t’i bllokojë ndonjë pasaportë të kërkuarit, në mënyrë që të verifikohen më pas hyrje-daljet e tij në pikat kufitare. Por pas sekuestrimit të një dokumenti fals që ai mbante me emrin Agron Zenelaj, si nënkomisar i policisë së Korçës, verifikimet janë bërë në këtë emër duke menduar se i përdoruri kishte nxjerrë pasaportë false me këtë identitet. Në shkallë vendi rezultojnë mbi 10 persona me këtë emër, ndërsa krahasimi i fotografive nuk është i mundur, pasi imazhi nuk gjendet në sistem.

Oficerët që vrau Dajti, kapën 4 raketat “Strela 2m”

Tirane – Tre nga oficerët e vrarë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit në Durrës, kanë qenë efektiva të repartit të operacioneve speciale që me krijimin e kësaj strukture. Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska kanë qenë mes 12 oficerëve të parë që janë pranuar në repartin e Operacioneve Speciale pas një sërë testimesh. Tre oficerët, tashmë “Dëshmorë të Atdheut”, kanë hyrë në radhët e policisë që prej vitit 1998, por në vitin 2002 me krijimin e sektorit të operacioneve speciale, ata janë bërë pjesë e kësaj strukture, bazuar në karrierën dhe rezultatet e arritura gjatë detyrave të mëparshme. Përgjatë 12 viteve të qëndrimit në radhët e Policisë së Shtetit, pavarësisht aksioneve “të mprehta” ku kishin marrë pjesë, tre oficerët nuk kishin gabuar asnjëherë. Përkundrazi, sipas të dhënave zyrtare që ndodhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, shteti shqiptar ishte mburrur me rezultatet e Sektorit të Operacioneve Speciale para partnerëve europianë dhe amerikanë, për realizimin me sukses të dhjetëra aksioneve e hetimeve kundër trafikut të drogës, trafikut të armëve dhe minave me celular. Reparti i njohur me emrin e shkurtuar GOS, për herë të parë në Shqipëri futi në metodat e punës dhe të hetimit infiltrimet, blerjet e simuluara dhe një  sërë teknikash të tjera antikrim të panjohura më parë për policinë shqiptare. Një prej aksioneve me bujë ndërkombëtare, ku ka marrë pjesë reparti i tre oficerëve të vrarë në Durrës, ka qenë ai i vitit 2004, kur në afërsi të Tiranës policia bllokoi 4 raketa “Strela 2m”. Ishte rasti i parë që në një aksion të ekzekutuar në mënyrë të përsosur policia shqiptare arriti rezultate të tilla. Më tej praktika e hetimeve “dinake” u kultivua me katër operacione që u finalizuan me zbulimin dhe kapjen e personave që trafikonin mina me telekomandë (celularë) kryesisht nga Mali i Zi në Shqipëri. Aksionet vazhduan me zbulimin e rasteve të trafikut të drogës e më pas GOS realizoi dhjetëra operacione hetimi dhe dokumentimi të rasteve të trafikimit të pistoletave. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, të dhënat e tre oficerëve kanë ardhur gjithnjë në rritje, që nga momenti i hyrjes së tyre në repartin GOS dhe deri më 7 gusht 2009, kur kanë marrë urdhrin për të realizuar aksionin që rezultoi i fundit për karrierën e tyre në radhët e mbrojtësve të ligjit. 

Aksioni, urdhri u dha në celular
TIRANE – Fatos Xhani, komandanti i njësisë që ndodhej në vijën e parë të aksionit për kapjen e Dajtit, ka qenë i pari që është përballur me të kërkuarin duke gjetur vdekjen. Edhe ai konsiderohet si një nga efektivat më të shquar të repartit të operacioneve speciale GOS. Ditën e ngjarjes, më 7 gusht 2009, Xhani mësohet se ka qenë i pozicionuar vetëm në një pikë qëndrimi që ishte më parë të kërkuarit krahasuar me pozicionet fillestare ku ishin vendosur oficerët e tjerë të policisë. Fatos Xhani si komandant i skuadrës ka vëzhguar nga afër të gjitha veprimet e të kërkuarit dhe pasi ka parë se tre personat që ndodheshin në makinë me Dajtin ka kërkuar nga vartësit që të afroheshin e të bënin rrethimin e objektivit. Gjithçka ka qenë e parashikuar deri në këtë moment, ndërsa ndërhyja mbetet mister. Të gjithë pjesëmarrësit në aksion kanë komunikuar në celularë ditën e ngjarjes, pasi e dinin se Dajti mbante radio policie (iu gjetën 2 të tilla) dhe mund t’i gjurmonte. Ai që ka marrë urdhër për ndërhyrje ka qenë Fatos Xhani, i cili ka transmetuar urdhrin tek të tjerët duke vepruar edhe vetë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›