Sërish mësim me turne në shkollat 9-vjeçare
Edhe këtë vit shkollor nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të bëjnë mësim me dy e tre turne. Klasat, sidomos në periferi, janë të mbipopulluara me nxënës. Madje nuk flitet më për mësim me dy turne, por nxënësit dhe mësuesit do të përballen dhe me tre turne. Kështu shprehet drejtori i arsimit rajonal për Tiranën, Ylli Xhaferi. Janë rreth 70 mijë nxënës të arsimit parauniversitar që do të ulen në bankat e shkollës, por është e pamundur që mësimi të kryhet normalisht. Më problematike situata mbetet në shkollat periferike. Megjithëse Ministria e Arsimit ka deklaruar se situata do të përmirësohet dhe do të arrihen standardet, në mënyrë që të jenë mesatarisht 35 nxënës në klasë, duket se këtë vit fëmijët do mësojnë sërish në terr. Me gjithë shkollat e reja që janë ndërtuar, ambientet janë të pamjaftueshme. Në rrethe situata është e njëjtë. Madje në disa prej tyre ambientet shkollore janë fare të papërshtatshme për të zhvilluar mësimin.