E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Vala e dytë e gripit të derrit, dyfish e rrezikshme



Virusi H1N1 mund të shndërrohet në mënyrë të paparashikueshme, ndërkohë që vala e dytë e përhapjes së sëmundjes do të jetë dyfish e rrezikshme, sipas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në një komunikatë, OBSH-ja ka deklaruar se fëmijët janë më të rrezikuar se pjesa tjetër e popullsisë, ndërkohë që sipas saj, gripi i derrit është më i rrezikshëm se gripi i shpendëve që u përhap pak vite më parë.

“H1N1 duket se është virus më i përhapshëm se gripi stinor. Vala e përhapjes së gripit stinor është 5 deri në 15 për qind. Ndërkohë, matjet e deritanishme të përhapjes së H1N1 janë nga 22 deri në 33 për qind”, – bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Duke cituar shkencëtarët, OBSH-ja deklaroi dje ky virus nuk duket se prek personat që kanë probleme shëndetësore.

“Me përjashtim të përhapjes së sëmundjes në Meksikë, që nuk është e qartë, virusi H1N1 shkakton sëmundje në persona që zakonisht kanë sëmundje të tjera. Jashtë Meksikës, thuajse të gjitha rastet e sëmundjeve dhe të gjitha rastet e vdekjeve janë zhvilluar në persona që kanë pasur probleme shëndetësore kronike”, – deklaron OBSH-ja.

Më të prekurit janë personat me astmë, probleme zemre, diabet, reumatizëm, hipertension dhe një sërë sëmundjesh të tjera. Megjithatë, OBSH-ja paralajmëron se më të prekur janë fëmijët dhe të rinjtë në moshë sesa të vjetrit. Sipas organizatës, “në dy përhapjet më të mëdha dhe më mirë të dokumentuara deri tani, në Meksikë dhe SHBA, moshat e reja janë prekur më shumë”, ndërkohë që edhe pse thuajse të gjitha moshat janë prekur, shumica e vdekjeve është përqendruar në moshat e reja.

Një tjetër rrezik që mund të vijë është “bashkimi” i gripit të derrit me gripin e zakonshëm sipas OBSH-së. “Shkencëtarët janë të shqetësuar për ndryshimet e mundshme që mund të zhvillohen në këtë virus, nëse ai përhapet në hemisferën e jugut dhe takon viruse të tjera që qarkullojnë tani si gripi i zakonshëm”, – deklaroi OBSH-ja.

Deri ditën e djeshme sëmundja ishte përhapur në 30 shtete me 5251 të infektuar. Vendet më të prekura mbeten Meksika, SHBA-ja, Kanadaja, Spanja dhe Britania, ndërkohë që të vdekur ka pasur edhe në Kosta Rikë.

Ministria e Mjedisit

145 milionë lekë për mbetjet urbane

Qeveria shqiptare ka investuar rreth 145 milionë lekë për administrimin e mbetjeve urbane, me studime fizibiliteti në qytete e qarqe të ndryshme të vendit, si dhe për ndërtimin e vendmbulimeve të Bushatit, Tiranës dhe Sarandës. Kjo u bë e ditur gjatë takimit me donatorë të fushës së mjedisit, organizuar në hotel "Tirana International", organizuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në të cilin ishin të pranishëm zv.ministri i Transporteve, Stavri Ristani, përfaqësues nga Ministria e Energjitikës, nga OSBE, UNDP, Bashkimi Evropian, ambasada holandeze, gjermane, por dhe nga agjenci të cilat operojnë në fushën e mjedisit. Zv.ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, prezantoi për të pranishmit nevojat e fushës së mjedisit, fushë ku mbështetja e donatorëve është mjaft e rëndësishme. Sipas tij, këto plane do të identifikojnë nevojat afatshkurtra dhe afatmesme për investime dhe mbështetje. Më pas, këto do të formulohen në projekte që do të financohen nga buxheti i shtetit dhe kontributet potenciale të donatorëve për mjedisin. Sipas tij, hartimi i planeve do të ndahet në dy faza, në përgatitjen e planeve vendore dhe rajonale, për të kaluar më pas në atë kombëtar për administrimin e mbetjeve. Gjithashtu, MMPAU po punon dhe në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe sidomos transpozimin e plotë të direktivave të Bashkimit Evropian për mbetjet e ngurta. "Një ndër masat mbetet zhvillimi i një fushate ndërgjegjësimi për pasojat e hedhjes së pakontrolluar të mbetjeve si dhe për djegien e mbeturinave në vende të hapura, duke rrezikuar shëndetin, por dhe duke pakësuar mundësinë për zhvillimin ekonomik", - tha z. Bino. Normat e adaptuara për prodhimin e mbetjeve urbane arrijnë një mesatare prej 280 kg/frymë/vit në zonat urbane dhe 110 kg/frymë/vit në zonat rurale, shifër kjo e ulët në krahasim me nivelin e 500 kg mbetje që haset në disa vende të Bashkimit Evropian. Metoda kryesore për depozitimin e mbetjeve është hedhja në vendet e caktuara, ndërkohë vendmbulimet e mbetjeve janë të pakta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›