E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një lutje për ndërkombëtarët



Nga Tonin ALIMHILLI

Atëherë kur Shqipëria ishte në kapërcyellin e ndërrimit të sistemit politik, në vitin 1991, diplomatët e shteteve tepër të rëndësishme u akredituan këtu e si kujdestarë të ndryshimeve qëndronin në Parlament me orë të zgjatura së bashku me ne.

Dikush nga ata, me partiturën e Katovicës në duar, monitoronte interpretimin e saj, kurse tjetri ndiqte me kujdes hapat e parë të palëve përfaqësuese për në rrugën e demokracisë. Ne, deputetët e krahut progresist, krijuam afri me ata nëpunës të lartë të huaj që deri në këtë kohë kishin qenë mit në imagjinatën tonë. Në një rast i bëra pa dorashka pyetje njërit prej atyre të huajve tepër të rëndësishëm: Nëse mëkatarët, të cilëve më në fund po u rrëshqiste pushteti, në këmbim të pendesës apo të kërkesës për t’u marrë në mbrojtje ose të ndonjë interesi tjetër, a kanë sjellë në kancelaritë tuaja dosjet sekrete të informatorëve? Ashtu siç pritej, në mjediset e kafenesë së Kuvendit pyetja kaloi me gaz, atë e justifikuam me faktin se ky naiviteti ynë buronte që herët si një vetëmbrojtje për të kapërcyer situata të cilat sistemi i ndërlikonte për të krijuar presione. Gjithsesi, nga kjo bisedë krijuam bindjen e plotë se dosjet sekrete të spiunëve, tashmë në formë mikrofilmash apo të fotokopjuara, prehen dhe në zyrat përkatëse të katër apo pesë shteteve më të interesuara! Tani në prag të lecitjes sonë si vëllazëri në Evropë, diplomacia e shteteve të rëndësishme ka për detyrë të iluminojë politikën shqiptare së paku duke u rikujtuar lehtë në vesh liderëve të partive, emrat e oborrtarëve të tyre që kanë qenë panele klandestine mbi të cilat lëvrinte diktatura e ashpër komuniste, kurse ne plebenjve që të shkojmë me mendje të kthjellët e me dinjitet në kutitë e votimit, duhet të na tregohet së paku numri apo përqindja e informatorëve të ish-Sigurimit të Shtetit që janë në listat e kandidimit për deputet nga secila parti.

Kjo kërkesë nuk përbën ndonjë kuriozitet primitiv, por është një masë tepër e rëndësishme për të pastruar politikën e vendit tonë nga obskurantizmi që e ka mbërthyer. Në politikën shqiptare, përmes dinakërive informale antiligjore e nepotike galon intriga e cila ka arritur të shmangë e të depërtojë si të padëshirueshëm, të panevojshëm e të dëmshëm “Aristidin” ta zëvendësojë atë me llafollogun, intrigantin, imoralin e spiunin e tëra kohëve. Kjo sërë me përvojën e sojit të vet di fort mirë të miklojë sqimën autoritariste të liderëve deri në momentin e pritshëm për t’u futur benzinë nën rrogoz eprorëve. Sado që me vonesë, kohët e fundit këto konstatime po i deklarojnë dhe disa personalitete me karrierë të gjatë e të rëndësishme në politikën shqiptare të pasviteve ‘90. Sa turp! Porosia e vazhdueshme e kancelarive perëndimore për të zhvilluar zgjedhje të lira e demokratike, nuk u arrit asnjëherë. Ky mosbesim bie mbi dinjitetin e gjithë shqiptarëve si ujë i valuar në akuariumin plot me gjallesa deti. Porosia e përsëritur në çdo stinë elektorale dëshmon nivelin e ulët të karakterit të politikanëve që na drejtojnë gjatë kësaj periudhe, mirëpo ato konsiderohen festja e merituar në kokën tonë. Në të vërtetë ne meritojmë të tjerë: të ndershëm, atdhetarë, demokratë, të aftë e me vizion globalist. Kjo qenka e vështirë të arrihet pasi politika te ne trashëgon eksperiencat më të këqija sllavo-komuniste, ndaj kërkojmë ndihmën më aktive e këmbëngulëse të Perëndimit. Pa atë ndihmë vonë do të shkulej sistemi totalitar, ne patëm mbetur vendi i fundit komunist në kontinent dhe tani procesi i dekomunistizimit përmes disa masave të njohura e të zbatuara nga vendet e tjera, te ne nuk po ec. Ka hezitime, sepse mungon vullneti i politikës, e cila di të fusë në labirinte të ngatërruara problemet që nuk i ka për zemër, siç është hapja e dosjeve të politikanëve apo dënimi i sistemit komunist. Këtu akoma shumë emërtesa publike mbajnë emrat që evokojnë diktaturën. Tani së fundi në mbrojtje të saj nga politikanët tanë ka dalë dhe një teori që thotë vendimet kolegjiale nuk penalizohen, që ka kuptimin - mbylleni gojën për çka ju kanë bërë baballarët tonë. Ju perëndimorëve, për të kuptuar më mirë aktualitetin politik të vendit tonë, nëpërmjet kolegëve tuaj në krye të federatave apo unioneve ndërkombëtare ku bëjnë pjesë si anëtarë dhe partitë tona, ju mundësohet hulumtimi mbi konceptet, funksionimin e dozat totalitare të këtyre organizatave politike. Premtimet për fraksionet që do të thotë për të pranuar mendim ndryshe apo për realizimin e zgjedhjeve në parti me formulën liberale “një anëtar - një votë” tashmë mbeten të harruara. Lidershipi i partive nuk rrezikon persistencën e vet në majën e kupolës duke i dhënë krah demokracisë dhe debatit. Ato përgjithësisht komunikojnë me forumet, anëtarësinë e militantët e tyre veç përmes takimeve të tipit të mitingjeve patetike që ngjajnë me plenumet, kongreset apo me manifestimet “entuziaste” të kohës së komunizmit. Era politike euroatlantike aktualisht është përqendruar në detantën ndërkombëtare, ajo ka lënë pas dore konsideratën e saj për programin e Katovicës, nivelin e zbatimit të tij dhe pasojat në çdo shtet post-komunist. Kjo analizë përbën gurin e garancisë e të sinqeritetit të qeverive përkatëse në rrugën e vërtetë të bashkëpunimit pa oscilacione sociale me Perëndimin. Politika perëndimore e ka të qartë se ai program tejet hipokrit ka sjellë brishtësi e prishje të ekuilibrave në vendin tonë të karakterizuar me veprime konkrete të padëshiruara si dhe me çorientimin dhe indiferencën e elektoratit, i cili ka humbur besimin ne aftësitë e veta për të vënë në rrugë të mbarë problemet më të rëndësishme të vendit siç janë qeverisja, drejtësia, prona etj. Kjo gjendje ekuivoke, përçarëse e disfatistë shkon në favor të klasës aktuale politike. Pasojat e këtij neokomunizmi katovician në 18 vitet e tranzicionit kanë ndikim negativ dhe në ecurinë ekonomike e cila prej shumë kohesh është anuar nga fenomeni “napolitan” që karakterizohet me çakordim të raportit import-eksport-prodhim si dhe me betonimin e tokës bujqësore, bregut të detit, të hapësirave urbane të vendit e të tjera dukuri që ekstremizojnë polaritetin e shoqërisë sonë. Tek ne grupimet politike për të cilat është herët të përdoren termat “kumbari” apo “familjet” akuzojnë njëra-tjetrën për megakorrupsion duke dhënë fakte, emra me objekte e vlera konkrete, por falë “fatit” apo marrëveshjeve të tyre të fshehta, qarku i akuzave si dhe i fakteve për politikanët e lartë mbyllet gjithnjë pa dëme, pastaj fillon një xhiro e re e përsëri një tjetër. Cikli i tyre përkon me kohëzgjatjen e çdo legjislature. Ne qytetarët e thjeshtë dëgjojmë e lexojmë gojëhapur bëmat, por dhe premtimet fantazmagorike të tyre derisa na kaplon gjumi i thellë i harresës si të jemi qenie pa vetëdije. Ndaj kërkojmë dhe një herë ndihmën serioze të diplomacisë perëndimore që të na marrë për dore drejt rrugës së dëshiruar evropiane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›