Bie për të fjetur, gardiani vetëplagoset me armën e punës
Ka rënë për të fjetur, por ka harruar që të heqë nga brezi pistoletën e punës, e cila ka bërë shkrepje në mënyrë të pavullnetshme, duke e plagosur atë. Gardiani në burgun e Drenovës në Korçë, Olsi Rexhollari, ka marrë një plumb në shpatull nga arma e tij e shërbimit, një pistoletë tip “TT”. Ka qenë e ëma e tij që ka shkuar menjëherë në dhomë dhe më pas e ka transportuar atë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga uniformat blu, rreth orës 01:00 të së hënës, efektivi në trupën e shërbimit në Institucionin e Ekzekutimeve te Vendimeve Penale, në Drenovë të Korçës, është paraqitur në spitalin e qytetit, me një plagë të shkaktuar nga goditja me plumb. 38-vjeçari është banor në lagjen numër 5 të qytetit juglindor. Agjentët e policisë nisën menjëherë një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Nga veprimet hetimore e procedurale të kryera rezultoi se Rexhollari ka shkuar në banesën e tij rreth orës 22:30, ku aty ka komunikuar me të ëmën e tij dhe pas kësaj, shkon në dhomën e gjumit për të fjetur. Vetëm pak minuta më pas, nëna e tij dëgjon një të shtënë arme. Zhurma kishte ardhur nga dhoma e 31-vjeçarit dhe menjëherë e ëma e tij është drejtuar aty. Kur ka hapur derën, ajo ka parë djalin e saj të plagosur. Menjëherë ka kërkuar ndihmën e të afërmve dhe e ka nisur të birin në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas policisë, plaga i është shkaktuar nga arma e shërbimit të 31-vjeçarit, të cilën ai e kishte me vete dhe nuk e kishte hequr. Sipas mjekëve, Rexhollari është plagosur në supin e majtë, ku ka pësuar dëmtime masive të kockës. Pas mjekimit të parë, bluzat e bardha kanë vendosur që ta transportojnë atë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për një ndërhyrë më të specializuar. Megjithatë, - shprehen mjekët, - i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari është shprehur se është plagosur nga pakujdesia në kohën që do shtrihej për të fjetur. Sipas hetimeve paraprake, mësohet se ky shtetas shpeshherë konsumonte alkool, ndërkohë që njihet si lojtar i rregullt i lojërave të fatit dhe basteve sportive. Uniformat blu kryen veprimet procedurale për veprën penale të “plagosjes së lehtë nga pakujdesia”.