E Diel, 1 Nëntor 2026

Transfuzioni i gjakut, ndryshojnë rregullat, pacientët nuk do të paguajnë për kontrollin e tij

Shpenzimet do te mbulohen nga Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut. Spitalet problem për sigurimin e gjakut për pacientët që kërkojnë transfuzion të vazhdueshëm

Emanuela Sako

Pacientët nuk do të paguajnë për përpunimin e gjakut që duhet të marrin për të kuruar sëmundjet. Qeveri vendosi të bëjë këtë ndryshim në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, pasi pacientët që marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet. Në bazë të ligjit gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Prandaj shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së gjakut e të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti. Këto shpenzime i mbulohen Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut nga institucionet shëndetësore, që e përfitojnë këtë shërbim. Ndërsa, kostoja për secilin nga shërbimet e përcaktuara vendoset me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
Ndryshimet
Kështu, pacientët do të mund të marrin një shërbim të kualifikuar, por pa nxjerrë para nga xhepat e tyre për ekzaminimet e gjakut të dhuruar. Po kështu, disa ndryshime janë bërë edhe në mënyrën e lëvrimit të fondeve për veprimtaritë promovuese dhe edukative në fushën e transfuzionit të gjakut.
Në bazë të vendimit të fundit, Ministri i Shëndetësisë përcakton kërkesat e bazës organizative e teknike të strukturave, si dhe të veprimtarive promovuese e edukative të shërbimit të transfuzionit. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të financojë, me fondet buxhetore, të dhëna për këtë qëllim, shpenzimet e promocionit të çdo organizate jofitimprurëse (OJF), që promovon dhurimin vullnetar të gjakut.
Situata
Mungesa e gjakut është evidente në të gjithë spitalet e vendit, për shkak se numri i dhuruesve është shumë i vogël, ndërsa kërkesat janë gjithmonë më të mëdha. Sigurimi i gjakut nga ana e autoriteteve shëndetësore është vështirësuar së tepërmi dhe këto të fundit shpeshherë kanë apeluar për të dhuruar sa më tepër gjak nga qytetarët. Kështu, ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Specialistët theksojnë se numri i dhuruesve të gjakut vullnetar apo me pagesë ka rënë së tepërmi kohët e fundit. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë deklaroi se në rast krize do të bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Evropian. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak pa një afat të pacaktuar.

Mënyrat e sigurimit të gjakut nëpërmjet importit
Ligji për importin e gjakut prej një viti ka hyrë në fuqi. Nismëtarët e tij në Kuvendin e Shqipërisë e cilësuan atëherë mjaft të vlefshëm sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundja e rëndë e gjakut, Talasemia. Sipas këtij ligji, importimi i gjakut do të bëhej në mënyrë të vazhdueshme në bazë të nevojave dhe do të zgjaste jetët e të sëmurëve. Por, realisht nuk ka ndodhur kështu, pasi importimi i gjakut është përjashtuar nga axhenda e procedurave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato pak furnizime me gjak kanë ardhur nga familjarët e pacientëve apo nga dhurimi vullnetar i gjakut. i vetmi rast kur është bërë importimi i gjakut nga vendet e huaja ka qen tragjedia e shpërthimeve të Gërdecit, ku pati me dhjetëra të plagosur. Situata në spitale është tepër e vështirë dhe emergjente, përsa i përket furnizimit me gjak për pacientët që kanë sëmundje të cilat kërkojnë furnizimin e vazhdueshëm të trupit me gjak. Talasemikët janë një nga kategoritë e pacientëve që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut. Deri më tani, mjekët thonë se ata po kurohen me doza tepër të ulëta, por e kanë të nevojshme furnizimin e herëpashershëm me gjak. Rezervat e spitaleve kanë shkuar në fund dhe nuk ka asnjë mundësi furnizimi për plotësimin e nevojave. Ndërkohë që autoritet shëndetësore theksojnë se numri i dhuruesve është tepër i ulët dhe i pamundur për të plotësuar të gjitha nevojat.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›