E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi “Brain Gain”. Myqerem Tafaj: Kushtet e punësimit në Shqipëri



Administrata publike, institucionet akademike dhe shkencore si edhe bizneset janë fushat kryesore, ku mund të punësohen të diplomuarit jashtë vendit, në Shqipëri. Këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Prof.Dr, Myqerem Tafaj, pohon se deri tani numri i të kthyerve në atdhe është i shumtë. Sipas tij, për paketat nxitëse “Brain Gain” (“Kthimi i trurit”) kanë konkurruar mbi 130 veta të emëruar tashmë në universitetet dhe ministritë. Tafaj bën të ditur se procesi i këtij programi është ende i hapur dhe mbështetja e kandidatëve pritet të vazhdojë edhe në vitin 2010. “Deri tani programi ‘Brain Gain” është fokusuar në punësimin e të rinjve në administratën publike dhe institucionet akademike dhe shkencore. Duhet sqaruar mirë se programi ‘Brain Gain’ nuk punëson njeri, por ndihmon në procesin e punësimit qoftë në administratë apo në universitete, duke publikuar vendet e punës në faqen e internetit www.braingain.gov.al dhe duke asistuar personat që konkurrojnë si me procedurat e aplikimit, ashtu edhe në procesin e dorëzimit të dokumenteve në mënyrë elektronike, falë bashkëpunimit me departamentin e administratës publike”, - sqaron këshilltari i Berishës për arsimin. Sipas tij, programi ka krijuar lehtësira ligjore për konkurrimin e kandidatëve që vijnë nga jashtë me studime pasuniversitare të përfunduara atje. Në procesin e konkurrimit ata kanë pikë bonus për përvojën dhe edukimin e kryer jashtë vendit. Përsa i përket përfitimit të paketave nxitëse, Myqerem Tafaj shprehet: “Programi ‘Brain Gain’, pas kandidimit të individëve dhe marrjes së vendit të punës me kontratë të plotë, ofron për ta paketa nxitëse të cilat përfshijnë mbështetje për të lehtësuar integrimin në Shqipëri”. Procesi i kandidimit për paketa nxitëse bëhet në bashkëpunim me institucionin punëdhënës. Bordi që aprovon paketat në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave 1100 të 30 korrikut 2008 ndjek një procedurë strikte. Kandidatët duhet të kenë mbaruar të paktën studimet e nivelit “Master” jashtë shtetit dhe të jenë të punësuar në një funksion drejtues për të përfituar paketat nxitëse. Programi “Brain Gain”, i cili synon identifikimin dhe nxitjen e kthimit të të talentuarve pranë institucioneve publike, institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencës dhe sektorit privat e më pas mbështetjen e tyre në procesin e integrimit apo riintegrimit në Shqipëri, sipas këshilltarit të kryeministrit, po jep rezultatet e pritshme.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›