E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Karta e identitetit çështja më e diskutueshme

27/05/2009  Zgjedhjet, Glover publikon raportin paraprak për Shqipërinë

Raporti paraprak i misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri i OSBE–ODIHR-it, i përgatitur gjatë periudhës 8–21 maj, është shprehur pozitivisht për një sërë masash që Shqipëria ka marrë për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe funksional të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Përmes një raporti prej 8 faqesh, MVZ-ja bën një raportim që nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, i cili u parapri, po sipas këtij raporti, nga një reformë e thellë në legjislacionit mbi zgjedhjet, deri te roli i medies dhe respektim i minoriteteve. Pavarësisht pjesëmarrjes në garë të 36 partive dhe dy kandidatëve të pavarur, raporti paraprak e cilëson mjedisin politik paraelektoral si gjerësisht të polarizuar mes dy partive të mëdha - Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Po ashtu në të vihet në dukje fakti që, dhe pse zyrtarisht nuk ka nisur fushata elektorale, e cila starton më 29 maj, një pjesë e partive po zhvillojnë sistematikisht aktivitete zgjedhore, të cilat Kodi Zgjedhor nuk i ndalon. Një kritikë në raport vjen edhe për mediet, që konsiderohen si pluraliste, por jo të pavarura nga ndikimet politike. Vlerësime janë pasqyruar për Kodin Elektoral, i cili sipas MVZ-së është i qartë në përcaktimet e rregullave për mbulimin e fushatës nga ana e medieve, dhe në përcaktimin e kohës televizive në Radiotelevizionin Publik. Referuar po këtij kodi, vlerësohet hapësira ligjore që u sigurohet grave për një pjesëmarrje shumë më të gjerë se deri tani në jetën politike të vendit. Konkretisht ligji për zgjedhjet siguron një pjesëmarrje për çdo gjini me një përfaqësim minimumi 30 për qind. Raporti nuk ka lënë jashtë faqeve të tij as konfliktin aktual mes qeverisë dhe opozitës lidhur me kartat e identitetit. Pasi shpjegon qëllimin e ekzekutivit për përdorimin nga zgjedhësit në këto zgjedhje të dy dokumenteve të identifikimit: pasaportën dhe kartën e re të identitetit, vëzhguesit raportojnë se kjo mbetet çështja më e diskutueshme në procesin zgjedhor, duke iu referuar ankimeve të përfaqësuesve të opozitës pranë tij. Konkretisht ankesat lidhen me ngadalësinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta. Por raporti përmend edhe besimin e qeverisë për mundësinë e pajisjes së të gjithë votuesve që nuk kanë pasaportë me karta identiteti. Raporti vlerëson se listat e votuesve, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, këtë herë do të nxirren nga baza elektronike e të dhënave të Regjistrit Civil Kombëtar.

ODIHR

“Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 730 mijë votues të mundshëm s’kanë pasaportë: rreth 354 mijë kanë aplikuar për kartën e re; rreth 160 mijë mendohet se janë jashtë vendit pa një dokument dhe rreth 220 mijë të tjerë s’kanë aplikuar ende deri tani.”

Misioni

Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve ka në përbërje 14 anëtarë bazë dhe 26 vëzhgues afatgjatë nga 20 vende anëtare të OSBE-së, të cilët janë shpërndarë në 12 pika në të gjithë vendin. Ai pritet të përpilojë edhe dy raporte, ku përfundimtari do të jetë pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›