E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Na sillni listat, pasi rrezikohet fleta e votimit

27/05/2009  Kreu i KQZ u bën apel krerëve vendorë që s’kanë respektuar ligjin

Komisioni miraton listat shumemërore të PS-së, PD-ja kundër

Kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka vënë dje alarmin për rrezikimin e procesit të prodhimit të fletëve të votimit për shkak të vonesave për depozitimin nga krerët vendorë të listave përfundimtare të zgjedhësve. Duke u rikujtuar edhe një herë detyrimet që kanë këta drejtues të pushtetit lokal, kreu i institucionit ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme se limiti kohor për depozitimin e këtij informacioni është 30 maji. “Duke qenë se patëm një eksperiencë jo të mirë lidhur me të dhënat që buronin nga listat paraprake dhe KQZ-ja u detyrua që të merrte masa administrative për 77 njësi të qeverisjes vendore, duke i penalizuar me gjobë, ne jemi sot në prag të përfundimit të këtij procesi, por ende nga njësitë e qeverisjes vendore nuk ka ardhur një e dhënë për sasinë përfundimtare të zgjedhësve për çdo qendër votimi, numrin e çdo qendre votimi dhe vendndodhjen e tyre. Në këto kushte, gjej rastin t’u kujtoj dhe zyrave të gjendjes civile se ky proces duhet të përmbyllet maksimumi deri ditën e shtunë, në të kundërt do të vëmë në vështirësi procesin zgjedhor lidhur me prodhimin e fletëve të votimit”, - tha Ristani. Po dje KQZ-ja miratoi listat shumemërore të kandidatëve për deputetë për nëntë subjekte zgjedhore, mes tyre edhe Partisë Socialiste, që do të konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Këto subjekte kishin depozituar pranë këtij institucioni dokumentacionin e korrigjuar pas kthimit që KQZ-ja u bëri listave për shkak të mangësive të konstatuara për dy partitë e mëdha në kriterin e kuotës gjinore të 30 % dhe për partitë e tjera në dokumentet e identifikimit të kandidatëve. Një nga një, KQZ-ja miratoi listat shumemërore të partisë “Balli Kombëtar Demokrat”, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, partisë “Bashkimi Liberaldemokrat”, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Lidhjes Demokristiane, Partisë Konservatore, Partisë Socialiste, Partia Aleanca Maqedonase për Integrim dhe Partia Demokracia Sociale. Gjatë mbledhjes së djeshme përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, u deklarua kundër miratimit nga KQZ-ja të listës së PS-së, pasi përmes Qarkut të Lezhës ajo kishte ndryshuar edhe listën e Qarkut të Kukësit dhe të Shkodrës. “Nuk e gjejmë me vend që subjektet të fillojnë procesin nga fillimi, sepse në këtë rast KQZ-ja duhet të revokojë vendimet që ka marrë”, - tha Kosovrasti. Por ai u kundërshtua nga përfaqësuesi i PS-së në komision Eridjan Salianji. “Vendimi i datës 23 maj ishte për plotësimin e listave dhe nuk kishte vendim përfundimtar për asnjë qark”, - pohoi ai. Si PS-ja, edhe LZHK-ja kishin bërë ndryshime në listat e kandidatëve, ndryshe nga ato që prezantuan në fillim.

Të rregulltit

Partitë politike që i dorëzuan që në fillim listat konform ligjit ishin Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Lëvizja e Legalitetit, partia “Mbrojtja e të Drejtave të Emigrantëve” dhe Partia e Gjelbër. Nga 36 subjekte zgjedhore të regjistruara në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit deri më sot janë pranuar listat e kandidatëve për 14 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër pritet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.

Fleta e votimit

Me miratimin e listave shumemërore për të gjitha subjektet zgjedhore, institucioni kryesor i administrimit të zgjedhjeve do të merret me miratimin e modelit të fletës së votimit. Deri tani janë përpiluar tri variante të ndryshme, mes të cilave do të zgjidhet një. Madhësia e tyre është A-3, ndërkohë që ndryshimi i varianteve konsiston në qartësinë që i garantohet zgjedhësit. Do të prodhohen aq fletë sa numri i zgjedhësve plus 2 %.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›