E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk jam pishman që në krye të Prokurorisë zgjodha Ramën”

27/05/2009  Presidenti i Republikës mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të disa zonjave

Topi i vlerësoi gratë si garant i forcimit të demokracisë

Presidenti i Republikës Bamir Topi rikonfirmoi dje bindjen e plotë për një zgjedhje të duhur kur në krye të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe në disa institucioneve të tjera të sistemit gjyqësor emëroi gra dhe jo burra. I pranishëm në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në programin e NDI-së “Zhvillimi i liderëve të rinj në politikë - gratë në advokim”, kreu i shtetit shprehu besimin se gratë demonstrojnë ndershmëri në realitet dhe japin një garanci të forcimit të demokracisë dhe të institucioneve të demokracisë në Shqipëri. “Ju siguroj se në emërimet që kam bërë kam emëruar më shumë zonja sesa zotërinj. Emërimi i kryeprokurores në krye të një institucioni që konsiderohej tabu, emërimi i një zonje në krye të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë apo dhe i zonjave në KLD. Pra, unë nuk e kam bërë këtë në mënyrë të sforcuar, nuk e kam bërë për ekzibicion, por e kam bërë sepse roli i gruas është jetik për shoqërinë tonë”, - theksoi Topi. Ai tha se pjesëmarrja e tyre në të gjitha institucionet duhet të të jetë e pranishme. Në vijim të fjalës së tij Presidenti uroi që zonjat të mos humbin natyralitetin e tyre, pasi, siç u shpreh ai, “në Parlament kemi nevojë për zbutje dhe një ekuilibrim të toneve”. “Politika ndodh në një mjedis të ashpër, ku shpeshherë ka rivalitet, ndonjëherë ka edhe bërryla. Unë uroj që gratë të jenë të forta, që të shpalosin vitalitetin e tyre jo thjesht biologjik dhe fiziologjik, por të shpalosin vitalitetin e tyre shoqëror, politik dhe në mënyrë absolute të mos cenojnë natyralitetin të tyre”, - tha Presidenti i Republikës. Numri një i shtetit shqiptar reagoi edhe ndaj ngjarjes së shëmtuar që ndodhi disa ditë më parë në hyrje të Kryeministrisë, ku një person goditi dy gra të verbra. Ai u bëri thirrje institucioneve specifike, institucioneve që kanë përgjegjësi ndaj Kushtetutës dhe ligjit, në radhë të parë zonjave, ta denoncojnë këtë rast publikisht. “Nuk është problemi i një individi, i cili duhet të përballet me drejtësinë. Ky është detyrimi institucional i institucioneve, është puna e ndjeshmërisë dhe e klimës, që duhet t’i japin zonjat, një klimë më të qetë, një klimë solidariteti, një klimë ku ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Mos prisni të ndihmoheni nga psikologjia maskiliste kur nuk e gjeni këtë klimë midis jush”, - tha Topi. Ai shfrytëzoi këtë ngjarje për t’u bërë thirrje grave të solidarizohen mes tyre. “Ju bëj thirrje të keni solidaritet, debati juaj duhet të jetë shumë elegant dhe të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër që bëhet midis politikanëve burra”, - përfundoi fjalën e tij Presidenti Topi.

Reagimi i Uidhers

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, tha dje se vihen re arritje të pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje, por kërkoi që të bëhet më shumë në këtë drejtim. Duke iu drejtuar veçanërisht grave, ambasadori u sugjeroi atyre se, nëse nuk janë dakord më përfaqësimin e tyre, duhet të reagojnë për ndryshim. “Ndihem i inkurajuar nga puna që po bëjmë për të fuqizuar më tej gratë dhe për t’u dhënë atyre një zë që përndryshe nuk do ta kishin. Nëse jeni të kënaqur me përqindjen e përfaqësuesve të grave në institucionet e vendit, atëherë në rregull; nëse jo, atëherë jeni ju që duhet të veproni dhe të vendosni”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›