E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Nuk e tërheqim kreun e vëzhguesve

 

OSBE-ja nuk do të tërheqë nga misioni ambasadoren Audrey Glover. Pas qëndrimit të Tiranës zyrtare për largimin e shefes së misionit të ODIHR-it në Tiranë, Glover, kanë reaguar edhe një sërë organizmash ndërkombëtare, si OSBE-ja, BE-ja dhe vetë ODIHR, të cilët shprehen kundër kërkesës së kryeministrit Sali Berisha. Zëdhënësi i ODIHR-it, Jens-Hagen Eschenbaecher, në një intervistë dhënë për radiot BBC-në dhe VOA shprehet: “Ky nuk është hapi i duhur. Qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it, kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it”. “Nuk ka asnjë arsye përse të tërheqim ambasadoren Glover, pasi ajo është personi më i mirë për të bërë këtë punë. Vëzhgimin e zgjedhjeve ne e bëjmë sipas mandatit të hartuar nga vendet anëtare të OSBE-së, në bazë të një metodologjie tashmë të provuar mirë e të përdorur në shumë vende, për shumë vite. Kjo metodë do të përdoret edhe në Shqipëri. Pra, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se vlerësimet tona nuk do të jenë objektive. Disa herë ndodh që qeveritë ose opozita, nuk i pëlqejnë vlerësimet tona, por nuk bëhet fjalë që ne të mbajmë anë në punën tonë”, tha Eschenbaecher për radion tjetër VOA. Zëdhënësi thekson se, “padyshim ne shpresojmë që kryetarja e misionit dhe vetë misioni do të gjejnë kushtet e duhura për të kryer punën. Çdo qeveri në zonën e OSBE-së ka shprehur angazhim për të ftuar misione vëzhguese dhe duhet të krijojë kushtet që ato të bëjnë punën e tyre”. Për pretendimin e paraqitur nga ana e Qeverisë, reagoi dje edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. “ODIHR nuk merr udhëzime nga ndonjë organ tjetër. Ashtu sikurse edhe ju, unë jam një vëzhgues i kësaj që po ndodh. Unë e përkrah ODIHR-in dhe të njëjtin qëndrim mbajnë të gjithë vendet pjesëmarrëse të OSBE-së. ODIHR do të ketë rolin e gjykatësit. Sot ka një ndeshje futbolli dhe mesa dini arbitrin nuk e zgjedhin palët, por organizma të tjerë”, përfundoi Bosch. Komisioni Evropian e ka cilësuar si të drejtë ekskluzive e ODIHR-it caktimin e përfaqësuesit zyrtar për këto zgjedhje. “Glover është përzgjedhur si përfaqësuese e misionit për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Ky vendim është marrë nga vetë përfaqësuesit e ODIHR-it dhe ne e mbështesim plotësisht vendimin për të mos lejuar ndërhyrjen e asnjërit nga vendet fqinje në marrjen e këtij vendimi”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Kristina Nagy. Ajo shton se “KE-ja pret që Shqipëria të plotësojë zotimet e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet e vendosura ndërkombëtare. Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri është një faktor kyç në rrugën drejt integrimit në BE”.                                        b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›