E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e ‘96,zbardhet debati Berisha-Glover

 

ADI SHKEMBI

Divorci i Kryeministrit Berisha me Drejtoreshën e ODIHR-it, Audry Glover, ka të bëjë pikërisht me raportin që ky mision mbajti në përfundim të zgjedhjeve të 26 majit dhe 2 qershorit 1996 në Shqipëri. Një ditë pas letrës së kreut të qeverisë në adresë të ODIHR për të kundërshtuar emërimin e Glover, zbulohen arsyet e refuzimit të Berishës. Në përfundim të raundit të dytë të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1996, ODIHR vlerësoi se në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor. Por ajo që nuk thuhej në raportin prej 14 faqesh ishte pikërisht bojkoti i opozitës. Në asnjë rresht të këtij raporti nuk përmendej fakti se Partia Socialiste dhe aleatët e saj tërhoqën komisionerët nga procesi i votimit dy orë para mbylljes së kutive. Pikërisht ky fakt bëri që maxhoranca e Presidentit Sali Berisha të kundërshtonte raportin e ODIHR-it. Berisha i kërkoi Audrey Glover, në atë kohë drejtoreshë e ODIHR-it në Vjenë që pjesë e raportit për zgjedhjet e 26 majit të ishte edhe tërheqja e opozitës përpara mbylljes zyrtare të kutive të votimit. Berisha pranoi që misioni të mos i konsideronte zgjedhjet të lira dhe të ndershme, por kërkonte që të mos ‘harrohej’ pa përmendur bojkoti i komisionerëve të pakicës. Megjithë insistimin kreu i shtetit në vitin 1996 mori një përgjigje negative, ku gjatë atij takimi Glover theksoi se raporti nuk do të ndryshonte. Pas qëndrimit të prerë të drejtoreshës së ODIHR-it, Berisha është shprehur se ajo nuk do të lejohej të vinte më si vëzhguese në vendin tonë. Si pasojë e këtij qëndrimi, qeveria e djathtë në zgjedhjet lokale të tetorit 1996 nuk pranoi vëzhgues nga misioni i ODIHR-it. Qëndrimi i Tiranës zyrtare në atë kohë ishte i argumentuar me argumentin se “ODIHR është i specializuar për vëzhgimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe jo atyre lokale”.
Raporti
Raporti i ODIHR-it në vitin 1996 ishte më kritiku në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Në 14 faqet e tij, vëzhguesit, të cilët ndoqën nga afër zgjedhjet e 26 majit, u shprehën me nota tejet kritike për sa i përket përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces dhe rolit të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë kreun e shtetit, Gjykatat, Qeverinë, Policinë e Shtetit, Shërbimin Sekret dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, i përbërë nga vëzhgues nga 11 shtete, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër: gjatë dy ditëve të votimit (26 maj dhe 2 qershor) në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor. ODIHR vlerësonte gjithashtu në vëzhgimin e tij se bashkëpunimi mes vëzhguesve të huaj dhe qeverisë shqiptare kishte shfaqur probleme teksa shtonte se disa takime ishin anuluar dhe ekzekutivi nuk kishte dhënë informacionin që vëzhguesit kërkonin. Raporti vërente se “procesi i numërimit nuk u bë në mënyrë të rregullt dhe të besueshme, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vunë re manipulimin e rezultateve dhe vendimet u morën në mënyrë arbitrare nga kryetari i caktuar nga qeveria”. Raporti vinte në pah disa arritje që kishin të bënin me pjesëmarrjen e partive në komisionet zgjedhore, lirinë e vëzhguesve ndërkombëtarë për të ndjekur nga afër procesin gjatë ditës së votimit, dënimet ndaj atyre që falsifikonin dokumentet, publikimin e listave të votimit një muaj para ditës së zgjedhjeve apo edhe mundësinë e korrigjimit të tyre në rast se evidentoheshin mangësi. Duke hyrë në detaje raporti konstatonte se: në Berat pjesëmarrja ishte 105%; në Lushnjë megjithëse kishte 940 vota në kuti, në listën e votuesve kishte vetëm 880 firma; në Gjirokastër votat e një partie të opozitës u llogaritën për PD-në.

Berisha takon Trojkën, jo terma të një refuzimi kategorik
Pas letrës së Kryeministrit Berisha drejtuar misionit të ODIHR-it në Vjenë për të larguar kreun e vëzhguesve për zgjedhjet e 28 qershorit Audrey Glover, në Tiranë nisin negociatat për gjetjen e një zgjidhje. Burime pranë Këshillit të Ministrave bëjnë të ditur për gazetën se kreu i qeverisë ka pritur dje rreth orës 14:00 në zyrën e tij përfaqësuesit e Trojkës Evropiane, e përbërë nga ambasadorja çeke në Tiranë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ambasadorja e Suedisë si vendi që do të ketë këtë presidencë në gjysmën e dytë të vitit, dhe një përfaqësues i delegacionit të Komisionit Europian. Temë e këtij takimi ishte pikërisht problemi i lindur pas pretendimeve të qeverisë shqiptare lidhur me kreun e vëzhguesve. Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe sipas burimeve të “Zërit të Amerikës” kryeministri ka përsëritur qëndrimin kundërshtues ndaj emërimit të ambasadores Glover me argumentet se raporti për zgjedhjet problematike të 1996, kur ambasadorja Glover ishte drejtuese e ODIHR-it, nuk ka qenë plotësisht realist. Megjithatë, kryeministri mësohet të mos ketë përdorur terma të një refuzimi kategorik. Sidoqoftë ende nuk mund të thuhet se ka ndonjë rezultat konkret. Për “Zërin e Amerikës”, ambasadorja Glover tha pak ditë më parë se viti 1996 ishte pjesë e së kaluarës dhe se ajo do të bënte punën e saj siç duhet, duke lënë që të jenë faktet ato që do të flasin. “Kam dëshirë të theksoj se nuk kemi mbërritur këtu me ndonjë paragjykim apo ndonjë axhendë të fshehur. Si gjithnjë do të lemë që faktet të flasin vetë”, tha Glover gjatë konferencës për shtyp. Drejtuesja e misionit të vëzhguesve ka thuajse një javë në Tiranë dhe ende ajo nuk është pritur nga autoritetet. Madje, edhe një takim i parashikuar sot me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u anulua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›