E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Zgjedhjet, progres i dukshëm, por jo sipas standardeve

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i publikoi dje raportin përfundimtar për 28 qershorin. Në hapësirën e konkluzioneve thuhej se zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm në lidhje me regjistrimet e votuesve dhe procesin e identifikimit. Kuadri ligjor, që parashikonte mënyrën e votimit, numërimit dhe shqyrtimit të kontestimeve u miratua në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore. ODIHR-i thotë se këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshi numërimin e votave, proces që u bllokua në disa zona. Këto aspekte vlerësohet se kanë minuar besimin e publikut mbi procesin zgjedhor në vend. Teksa u arrit pjesa kryesore e standardeve të OSBE-së, këto zgjedhje nuk e përmbushën potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet e larta të një procesi demokratik. Zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet kryesisht nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe kryerja e detyrave me përgjegjshmëri duke ruajtur integritetin e procesit zgjedhor. Duke iu referuar kornizës ligjore konstatohet se ajo krijon kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, vijon raporti, një numër dispozitash duhet të rishikohen me qëllim sjelljen e kuadrit ligjor në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së. ODIHR-i thotë se pavarësisht ndonjë momenti, KQZ-ja u përgatit për administrimin e procesit në mënyrë profesionale dhe mori hapa për të rritur transparencën. Megjithatë, vihet re ndarja politike në shumicë dhe pakicë sa u takon çështjeve më të debatueshme. Zëvendësimi i komisionerëve në momentet e fundit konsiderohet si një tjetër problem për procesin. Një element pozitiv është lista e votuesve e hartuar nga regjistri kombëtar i shtetasve dhe nga ku ishin votues 3 084 946 qytetarë. Një tjetër pikë ku ndalet raporti është pajisja me karta identiteti e 730 000 votuesve pa pasaporta. Pavarësisht problemeve, vlerësohet se fushata për shpërndarjen e letërnjoftimeve ishte përgjithësisht e suksesshme dhe hodhi bazat për një sistem solid të identifikimit të votuesve. "Partitë e opozitës vunë në pikëpyetje administrimin e procesit dhe dyshuan për manipulim të motivuar politikisht. Vëzhguesit thonë se verifikuan disa raste të përfshirjes së aktivistëve të PD-së në këtë proces. Kontestimet më të mëdha politike, thotë raporti, erdhën pas faktit se qeveria nuk ishte në gjendje të ofronte shifra të sakta mbi ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve pa pasaportë. Fushata vlerësohet të ketë qenë e qetë dhe vetëm me disa incidente të dhunshme, por gjuha e përdorur ishte e ashpër. ODIHR-i konstaton raste të presionit të punonjësve të administratës për të marrë pjesë në fushatën e PD-së ashtu sikurse përdorimi i aktiviteteve zyrtare për fushatë. Këtë të fundit më të theksuar e ka bërë PD-ja, ndërsa më rrallë Partia Socialiste përmes Edi Ramës. "Veprime të tilla krijojnë paqartësi për dallimin midis shtetit dhe partisë në kundërshtim me standardet", thotë raporti. D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›