E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia bie në "muret" e Krujës

Tirana arrin fitoren e vetme në transfertë, me shumë vështirësi, por me meritë të plotë, edhe pse ka luajtur 40 minuta pa portierin dhe kapitenin e saj, Blendi Nallbani. Vllaznia bën një tjetër hap fals, mundet në Krujë nga Kastrioti. Ky i fundit, në minutën e 61-të të ndeshjes, është ndëshkuar me karton të kuq, pas një sherri që ka pasur me qendërmbrojtësin vendas, Kuka. Ka qenë pretendimi i këtij të fundit për një penallti, që e ka acaruar portierin bardheblu, i cili nuk i ka mbajtur dot nervat, por e ka goditur me top kundërshtarin. Kaq ka mjaftuar që gjyqtari i ndeshjes t‘i nxjerrë të dy jashtë me kartonë të kuq. Gjithsesi, kampionët në fuqi kanë arritur të administrojnë golin e sulmuesit të tyre, Abilaliaj, shënuar dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë të lojës, duke marrë 3 pikë të çmuara, për të mos iu larguar kreut të renditjes. Në këtë mënyrë, Tirana e pret disi më e qetë ndeshjen e javës së ardhshme, kundër rivales kryesore për titull, Besës së Kavajës, në "Qemal Stafa". Nga ana e tyre, kavajasit kanë mundur Laçin 1-0, falë një goli të shënuar nga fundi i pjesës së parë prej Mancakut. Verdhezinjtë shikoheshin si favoritë të padiskutueshëm, por kanë ndeshur në qëndresën e fortë të miqve nga Kurbini, të cilët e kanë mbrojtur të paprekur portën e tyre, me përjashtim të minutës së 39-të, kur Mancaku ka gjunjëzuar portierin e Laçit, Llani. Fitore të artë ka siguruar Skënderbeu në fushën e tij, edhe pse me një gol, të shënuar nga kroati Rukavina, duke e rënduar situatën te Flamurtari, që regjistron tashmë dy humbje radhazi. Pas kësaj humbjeje, trajneri Memushi duket se e rrezikon seriozisht pozicionin e tij. Dika e ngjashme vlen edhe për Hasan Likën e Vllaznisë, që nuk mundi ta shmangte dot humbjen në fushën e Krujës. Ka fituar Kastrioti vendas në qytetin-kala, me anë të golit të Grizhës. Fitorja e parë në këtë kampionat për krutanët, që nxjerrin në pah "fytyrën e vërtetë" të kuqebluve në këtë edicion. Fytyrë e cila nuk premton për një Vllazni pretendente, sikurse pretendojnë drejtuesit e klubit shkodran. Fitore me rezultat të ngushtë ka siguruar edhe Apolonia e Fierit, brenda në "Loni Papuçiu", ndërkohë që kanë bërë qëndresë të admirueshme peqinasit, me në krye Kristaq Milen, që ka debutuar në stolin e Shkumbinit. Mbetet të luhet edhe ndeshja e "Qemal Stafës", mes Dinamos kryesuese dhe Teutës, që të plotësohet edhe kuadri i plotë i javës së tretë të kampionatit, ku Tirana rikonfirmon veten si pretendente, aq më shumë përmes një transferte në Ersekë, Besa mbahet në pozitat kryesuese, ndërkohë që Vllaznia zhgënjen. Kjo sa u takon skuadrave pretendente në letër, ndërkohë që situata duket e nderë për Laçin, në fundin e renditjes, bashkë me Gramozin. Shenja "jete" jep Kastrioti, ndërkohë që Skënderbeu arrin në kuotën e dy fitoreve, duke e parë me qetësi vijimin e garës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›