Debutim i shkëlqyer i Salihit, gol dhe shtyllë për Rapidin
Hamdi Salihi qëllon në shenjë që në ndeshjen e parë, duke dhënë shkëndijat e një dashurie "me shikim të parë" për tifozët e skuadrës më të njohur të Austrisë, Rapidit të Vjenës. "Ka shkelur vërtet gazin", sikurse thoshte në një prononcim për shtypin austriak para ndeshjes me Salzburgun. Ka debutuar me gol tek ekipi i ri i Rapidit të Vjenës, duke i dhënë barazimin përballë kampionëve të Salzburgut, teksa ka barazuar 2-2 në minutën e 83-të të ndeshjes. Kundërshtarët kishin siguruar epërsinë 2-0. Salihi ka qëndruar në stol në pjesën e parë. Por ka qenë pikërisht dizavantazhi 0-2, ajo që ka bindur trajnerin e Rapidit, Peter Pakult, t‘i besojë sulmuesit të tij më të ri, Hamdi Salihit, i cili nuk ka më shumë se tri ditë që stërvitet me skuadrën. Dhe kjo zgjedhje e trajnerit ka shënuar edhe kthimin e ndeshjes. Me goleadorin shqiptar në fushë, në 45 minutat e dyta vendasit arrijnë të barazojë rezultatin. Por ajo që ka kënaqur më shumë ka qenë loja spektakolare dhe me shumë klas. Kjo, sipas mediave austriake, ka ardhur përmes lojës së shkëlqyer të Hamdi Salihit, i cili është protagonist i tensionit në zonën kundërshtare. Nuk ka ku të shkojë më mirë për një futbollist, i cili arrin të bëjë "hapin e madh" në karrierë, duke kaluar nga Riedi, ku luante prej dy vitesh, te Rapidi i Vjenës, skuadra kryesore në Bundesligën austriake. Në minutën e 84‘ Salihi ka shënuar golin e barazimit për Rapidin. Por loja nuk ka mbaruar këtu. Kur dukej se gjithçka do të mbaronte 2-2, në minutën e 93‘ sulmuesi shqiptar ha humbur një rast të artë, pasi gjuajtja e tij është ndalur nga shtylla. Loja e mirë e Salihit është konfirmuar edhe nga trajneri Peter Pakult në përfundim të takimit. Në vetëm pak kohë Salihi duket se ka mundur të shndërrohet në pikë referimi edhe te Rapidi i Vjenës, ku ka kryer edhe debutimin më të suksesshëm të mundshëm. Kujtojmë se Salihi ka vetëm një javë që i është bashkuar Rapidit të Vjenës.