ODIHR trajnon në Tiranë vëzhgues afatshkurtër për zgjedhje
OSBE duket se ka zgjedhur një "ilaç" për të vëzhguar siç duhet vendet me probleme në zgjedhje, të cilët përdorin prej vitesh "hiletë" e tyre, duke mos stabilizuar edhe pas 15 vjetësh çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, problem që Perëndimi e ka zgjidhur që në vitet ‘70. ODIHR-i, Zyra Për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut e OSBE-së, ka nisur prej kohësh një program trajnimi për vëzhgues afatshkurtër, të cilët janë prej vendeve me probleme në demokraci. Ditën e djeshme, një ekip i ODIHR-it, po zhvillonte një seancë të rëndësishme trajnimi në Tiranë. Rastësi? Për Nikolas Kaczorovskin, i cili është zëvendësshef i departamentit të zgjedhjeve të ODIHR-it, "është rastësi e pastër zhvillimi i seancave të trajnimit të vëzhguesve afatshkurtër në kryeqytetin shqiptar. Zyrtari nga Polonia, i cili duket që sapo i ka kaluar të tridhjetat, thekson për "Shqip" se kemi nisur një program për të trajnuar vëzhgues nga Evropa Juglindore, Evropa Lindore, Kaukazi Jugor dhe Azia. Këto programe janë financuar nga shtetet perëndimore si Gjermania, Austria etj., dhe synojnë shtimin e aftësisë së vëzhguesve nga shtetet prej vendeve me probleme në demokraci. Nga Shqipëria marrin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, Ministrisë së Jashtme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky program i ri i Zyrës së OSBE-së për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, siç duket synon që në vendet që kanë shfaqur probleme të vazhdueshme në zgjedhje, të dërgojnë njerëz që e njohin mirë mentalitetin dhe aftësitë për të manipuluar proceset elektorale.