Rama: Buxheti 2009, i fundit për Sali Berishën
Buxheti i vitit 2009 mishëron tërësisht atë çka e kemi paralajmëruar dhe faktuar pjesë-pjesë prej 40 muajsh. Me këtë konkluzion u paraqit dje para medias kreu i socialistëve Edi Rama. Sipas tij kryeministri Sali Berisha prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e tij të fundit. "Dështimin e programit të votuar nga shqiptarët e shqiptaret në vitin 2005 dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në një rrugë me më shumë varfëri, papunësi, korrupsion,injorancë,përjashtim social", theksoi Rama. Sipas tij një analizë e këtij dështimi në instancën e një komunikimi për shtypin nuk është as e mundur dhe as e nevojshme. "Dua ta vendos theksin vetëm në aspektin më të prekshëm e dramatik të jetesës së shqiptarëve nën pushtetin e papërgjegjshëm, të paaftë e të korruptuar të Sali Berishës", u shpreh Rama. Ai këmbënguli se ky aspekt është shtrenjtimi galopant i jetesës dhe rënia e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, për të cilat kapardisjet mediatike të Sali Berishës kur flet për rritjen e rrogave e pensioneve, tingëllojnë me të drejtë shumë tallëse. "Faktet që lidhen me buxhetin familjar të shqiptarëve e shqiptareve, jo opinionet tona si opozitë, mjaftojnë për të dhënë përmasën reale të dështimit të Sali Berishës dhe për të treguar sesa i pamatshëm është hendeku mes premtimeve të tij kur erdhi në pushtet dhe realitetit që po le në çdo shtëpi shqiptare pas ikjes nga pushteti", vlerësoi Rama. Kreu i socialistëve tha se tanimë një kg bukë është 42 % më shtrenjtë, një kg vaj - 70 % më shtrenjtë, një kg oriz - 115 % më shtrenjtë, një kg sheqer - 80 % më shtrenjtë, 10 vezë 35% - më shtrenjtë, energjia elektrike për fashën e parë të konsumit familjar - 55 % më shtrenjtë dhe një litër naftë - 100 % më shtrenjtë. "Të dhënat zyrtare, jo përllogaritjet tona si opozitë, tregojnë që një familje normale ka nevojë, vetëm për të jetuar, mesatarisht për 750 mijë lekë të vjetra në muaj", u shpreh kreu socialist. Teksa shtoi se buxheti i fundit i Sali Berishës nuk i garanton, për familjen shqiptare ku të dy prindërit punojnë, 750 mijë lekët të vjetra të nevojshme për jetesën e përditshme. Në këndvështrimin e liderit të opozitës, buxheti i fundit i Sali Berishës nuk i garanton të ardhurat që duhen vetëm për të jetuar as për mësuesit, të cilëve Sali Berisha u këndon këngën e bollëkut duke iu përmendur rritjen e rrogave, ndërkohë që u merr pagën e 13-të. "Pra, thjesht fare, në kohën e Sali Berishës mësuesit kanë humbur më shumë se dy rroga, ndërkohë që me rritjen e rrogës nuk përballojnë dot çmimet e rritura edhe më shumë", konstatoi Rama.