E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviç: EULEX-i s’mund t’i ndalojë vizitat

(E plotësuar) Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka thënë se EULEX-i nuk ka mandat të ndalojë vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë.

"EULEX-i duhet të luftojë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, dhe në këtë kuadër të jetë më aktiv", ka thënë ai.

"Zyrtarët serbë mund të vijnë në Kosovë, dhe këtë nuk e ndalon asnjë nen i ligjeve kosovare", ka shtuar Ivanoviç, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Veç me autorizim

EULEX’i do ta ndalojë hyrjen e zyrtarëve serbë në veri të Kosovës, nëse ata tentojnë të hyjnë brenda territorit pa leje.

Kështu ka deklaruar të martën një zëdhënës i këtij misioni, i cili ka thënë se ndalesat do të vijnë si rrjedhojë e bashkëpunimit me Zyrën e Përfaqësuesit Special të BE’së në Kosovë dhe Brukselin.

Ky reagim vjen si pasojë e pështjellimeve që janë krijuar me rastin e vizitës së fundit të ish-Kryeministrit të Serbisë, Vojislav Kostunica të cilin e kanë shoqëruar njerëz të armatosur gjatë qëndrimit në këtë pjesë të vendit.

Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar është ajo që merr kërkesën për vizitat në Kosovë e më pas ajo përcillet tek institucionet e vendit të cilat më pas kërkojnë veprimin e policisë.

Për pikën kufitare në Veri përgjegjës është EULEX’i, zyrtarë të të cilit, të hënën, kanë thënë se nuk kanë qenë të informuar nga askush për të reaguar ndaj hyrjes së Kostunicës.

Por të martën ata kanë ndryshuar qëndrimin për këto vizita.

Zëdhënësi i EULEX’it, Hans Kristian Klasing ka thënë se ky mision ka udhëzuar Policinë e Kosovës që të ndalojë vizitat e paautorizuara në pjesën veriore të vendit.
Klasing ka thënë për Europën e Lirë se për këtë janë njoftuar edhe autoritetet në Beograd.

“Pas ngjarjeve të fundit, lidhur me vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Brukselin dhe Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX’i i ka dhënë udhëzime Policisë së Kosovës se, në rast se vizita nuk është e autorizuar, duhet të refuzohet hyrja”, ka thënë ai.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›