julia Iliriani - Jam e kursyer në ledhatime
Sonila Merolli
Gjithnjë sheh anën e zezë të gjërave, pesimiste edhe pse jeta i ka shkuar për së mbari. Kjo është koraca në të cilën struket Julia Iliriani, për t’u mbrojtur nga përjetimet e pakëndshme. E ka të qartë se masat nuk mund ta shpëtojnë nga zhgënjimet e jetës, por të paktën kur të vinë ajo i ka paraprirë. E rritur në Tepelenë, ajo vendosi se e ardhmja do të ishte vetëm skena, madje nuk u dorëzua përballë pakënaqësive të familjes dhe opinionit asokohe famëkeq mbi aktoret. Tashmë numëron një numër rolesh në TK, në teatrot e qyteteve të ndryshme, por edhe në televizion dhe botën e spektaklit. Më i freskëti është roli i Melisën në dramën “Letra dashurie” që po shfaqet në TK. “është një rol që ka shumë të përbashkëta me mua, që nga kapriçot, kërkesën ndaj vetvetes etj, dhe nuk ka letra klasike dashurie”, pohon aktorja, duke mos zbuluar më nga shfaqja. Fundja as qëllimi i intervistës nuk na shtyn të ngacmojmë më tepër për “letrat e dashurisë”. Kësaj here, Julia Iliriani flet pa doreza për jetën e saj private, raportin me bashkëshortin italian dhe vajzën e saj 7 vjeçe Renee.
Cilat janë angazhimet tuaja përtej skenës së teatrit?
Përkohësisht po punoj në Presidencë. Merrem me organizimin e takimeve dhe aktivitetet që ka Presidenti, pra me çdo gjë që lidhet me protokollin. çdo punë është interesante, kur bëhet me qejf dhe punohet me shpirt. Janë ca përvoja që nuk i kupton pa i provuar dhe personalisht kam qenë me fat që i kam prekur nga afër.
Si do ta përkufizonit karakterin tuaj?
Jam e fortë dhe nuk më pëlqejnë aspak femrat që ankohen për çdo gjë, ndërsa meshkujt e tillë nuk i honeps dot fare. Mendoj që kjo është jeta dhe Zoti na vë në provë; me një dorë të hedh me tjetrën të pret. Duke pasur këtë lloj filozofie e di shumë mirë që pas një të keqeje ka një të mirë dhe anasjelltas. Ndoshta jam paksa natyrë pesimiste, edhe pse në dukje e kam sahatin 12.00, por mendoj gjithnjë të kundërtën. E përgatis veten për më të keqen, pasi i trembem zhgënjimit, lëndimeve. Në momentin që një gjë e tillë ndodh unë jam e përgatitur.
E keni provuar mëmësinë para shumë vitesh. Si e keni përjetuar ardhjen në jetë të vajzës suaj Renee? çfarë ju shqetëson në rrugë e sipër në rolin si mama?
Në përgjithësi nuk jam nga ato femra që sa shohin një fëmijë të vogël, vrapojnë ta përqafojnë. Nuk është në natyrën time të bëj gjëra që s’i ndiej, aq më pak komplimente sa për të bërë qejfin. Sigurisht që kur një gjë më pëlqen e shpreh. Duke qenë natyrë e tillë, jam përpjekur që gjatë rolit tim si nënë të jem e prerë dhe paksa e kursyer në ledhatime, me kalimin e viteve. E them këtë pasi nuk më pëlqejnë aspak ata prindër që plotësojnë çdo tekë të fëmijëve, duke i mësuar aq keq sa të vënë përpara. Personalisht ne i kemi rolet e ndara. Unë jam prindi dhe duhet të vendos disa rregulla që vajza ime duhet t’i ndjekë. Ka orare mësimi, orare kur duhet të luajë dhe mbi të gjitha të flejë herët dhe jo kur t’i teket asaj. Me këto që ju thashë nuk dua të them që jam një nënë e ashpër dhe nuk di ta dua fëmijën tim, thjesht dua të rritet e edukuar për veten e saj.
Si reagon vajza juaj?
Deri më tani jam e kënaqur me të, edhe pse nuk jemi dakord për shumëçka ju thashë më sipër. Ndonjëherë rebelohet, herë tjetër tregohet indiferente ngaqë është mësuar me ngritjen time të tonit, por kjo në raste të rralla. Nga ana tjetër Renee është e lirë të bëjë dhe kërkojë çdo gjë brenda rregullave të shtëpisë sonë.
Ju kam parë se e merrni ngado vajzën me vete në opera, teatër...
është një strategji për t’i mësuar se kush janë vendet që duhet të frekuentojë në të ardhmen e saj. Detyra ime është t’i tregoj modelet të cilat mund të zgjedhë, më pas kur të rritet e ka vetë në dorë të vendosë. Nga ana tjetër, mundohem t’i plotësoj gjithë kërkesat e fëmijëve, shkojmë bashkë në patinazh, te lodrat, në aktivitete për fëmijë apo vende ku shkojnë moshatarët e saj.
çfarë mund të na thoni për bashkëshortin tuaj? Si e kujtoni njohjen tuaj?
Bashkëshorti im është italian. E kam njohur rastësisht në një lokal. Ai ishte ulur në banak, teksa unë po hyja dhe këtu shikimet tona u kryqëzuan. Duke qenë se të dy njihnim kamerierin e lokalit, ai gjeti guximin të më kërkonte numrin e telefonit nëpërmjet këtij të fundit. Sigurisht që m’u duk interesant dhe pranova. Kështu nisi historia jonë. Më pas, gjatë takimeve tona mora vesh se ai punonte si inxhinier në Bankën Botërore.
Për bashkëshortin latë Tiranën për t’u larguar drejt Italisë, apo jo? E përjetuat atë periudhë?
Unë për vete nuk kam dashur asnjëherë të largohem prej këtej, por përveç ofertës së mirë që i bënë bashkëshortit, ishte edhe viti 1997 dhe këtu çdo gjë kishte marrë rrokullimën. Megjithatë nuk e përjetova keq largimin, falë natyrës sime për mos ndjerë keqardhje për asgjë në jetën time, për më tepër nuk më pëlqen të rri me kokën prapa. Atje nisa një jetë të re, bëra disa kurse për teatër dhe në të njëjtën kohë punoja si asistent ekonomiste në një firmë. Por me transferimin e bashkëshortit në Jemen në Lindjen e Mesme, ku edhe shkova për ta vizatuar dhe nuk më pëlqeu aspak për të jetuar, u ktheva në Tiranë.