E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flora - Studentja e vogël që dëshiron të bëhet aktore



HASAN PASHA

Flora Xhaferri, është një vajzë e veçantë. Në fundjavë ajo vjen nga Universiteti i Durrësit dhe lëviz në rrugët e qytetit verilindor. Spikat për shtatshkurtësinë e saj, por është një studente inteligjente. është 24 vjeçe dhe studion për menaxhim-turizëm. është afro një metër, por në bisedë me të kupton se është një vajzë e talentuar dhe mjaft e zgjuar. “Ne kemi pasur mbiemrin Lela deri para pak vitesh, nis rrëfimin pa ndrojtje Flora nga Gurra e Matit. Babai im, vijon ajo, vendosi ta ndryshonte mbiemrin në gjendjen civile. Për të trashëguar pronat e stërgjyshërve ai vendosi që familja jonë të trashëgojë mbiemrin e gjyshit, Xhaferri”. E lidhur ngushtë me familjen, dy prindërit, babain pensionist dhe nënën e papunë si dhe gjashtë vëllezërit e motrat, Flora tregon vështirësitë e shumta ekonomike që ajo has në jetë, sidomos tre vitet e fundit të studimit në shkollën e lartë. “Jam në vitin e tretë të shkollës së lartë, për Menaxhim-Turizëm. Në Durrës nuk ka konvikt për të gjithë studentët dhe jam detyruar të siguroj një banesë me qira. Së bashku me disa shoqe të tjera jemi sistemuar në një shtëpi përdhese-tregon Flora. Në atë shtëpi unë ushqehem, mësoj dhe fle. Me aq para sa marr nga pensioni i invaliditetit ha kryesisht ushqime të thata, djathë, vezë, sallam, pasi e kam të pamundur të gatuaj”, pohon studentja më e shkurtër e Universitetit të Durrësit. Komuna dhe dega e sigurimeve shoqërore e kanë ndihmuar vajzën e shkurtër, duke i dyfishuar masën e pensionit që merr nga buxheti i shtetit. Ajo sqaron se ndjek me kujdes të gjitha orët e mësimit në fakultet dhe përpiqet të mësojë sa më shumë. Shqetësimi kryesor i saj është lënda e matematikës. “Me matematikën kam probleme shumë. Jam dobët dhe më duhet të marr leksione private. Edhe pedagogët e dinë një gjë të tillë, por nuk më tolerojnë aspak. Më trajtojnë si të gjitha studentet e tjera. Në fakultet nuk duan t’ia dinë se je student a studente me probleme fizike. Pedagogët shohin cilat janë përgjigjet e testit. Ata nuk bëjnë ballafaqimin e studentit me testin dhe për këtë kanë të drejtë. Jo se dua të përfitoj për shkak të probleme trupore që kam, por të them të drejtën nëse merren parasysh edhe problemet tona fizike, nuk bëhet ndonjë gabim i madh”, sqaron ajo. Por momenti më interesant për Flora Xhaferrin është se atë, në moshë fare të re e kanë kërkuar për aktore, producentët italianë.
“Unë nuk e mbaj mend atë moment, por kur kam qenë 5-6 vjeçe disa aktorë italianë që ndodheshin në Tiranë i kanë kërkuar babait tim, në një takim që ai ka pasur rastësisht me ta, të më lejonte mua të shkoja në Itali dhe të bëhesha aktore. Babai im e refuzoi këtë kërkesë, sepse kishte frikë se mund të më birësonin dhe se unë nuk do të kthehesha më pranë familjes. Prindërit, vëllezërit dhe motrat më kanë pikë të dobët”. Vajza shtatshkurtër kujton se italianët i kishin afruar babait të Florës, Idriz Xhaferri, një shumë të madhe liretash dhe një banesë në kryeqytet, Tiranë. “Tani që jam rritur dhe jam bindur se nuk do të kem probleme edhe nëse emigroj në Itali, nuk gjej mënyra për t’u lidhur me aktorët italianë, që më kërkuan në vitin 1992. Fakti që të huajt kishin dëshirë të isha aktore, më krijuan bindjen se unë duhet të konkurroja për aktrim. Dy herë jam përpjekur të fitoj degën e aktrimit, por nuk munda. Profesorët thanë se nuk dija të luaja në vegla muzikore dhe kisha probleme me plastikën trupore. Nuk më ndihmoi askush, se ndoshta mund të kisha nisur studimet për aktore”, thotë Flora, e cila nuk i fsheh ëndërrat e saj. “Pasi të mbaroj studimet e larta do të kisha shumë dëshirë të punoja në ndonjë agjenci turistike, por kësaj nuk i dihet, ndoshta do të jem e papunë si shumë specialistë të tjerë. Ndoshta kjo intervistë në gazetën tuaj do të zgjojë interesin e dikujt për mua”, përfundon rrëfimin e saj, Flora Xhaferri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›