E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, identifikohen bashkëpunëtorët e dy vëllezërve

Në trafikun e armëve, që organizohej nga dy vëllezër tropojanë, janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Kështu ka deklaruar grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Bëhet fjalë për operacionin e realizuar dy ditë më parë, ku u bllokuan 75 pistoleta, dhe një sasi e konsiderueshme granatash. Burimet nga grupi hetimor thanë për operacionin, që ishte koduar "Morina", se ishte realizuar duke u bazuar në një tjetër operacion të realizuar në Kosovë pak ditë më parë. Sipas të dhënave, pak ditë më parë në kufirin e Kosovës me Maqedoninë është kapur një sasi e konsiderueshme municionesh dhe armësh. Pas kapjes së tyre, policia e atjeshme ka mbledhur informacion se grupi i kosovarëve ishte i lidhur me shqiptarë. Kështu, informacioni është dërguar pranë policisë shqiptare, e cila ka nisur hetimin mbi personat e dyshuar. Kaq ka mjaftuar dhe dy ditë më parë policia ka rënë në gjurmët e personave të cilët organizonin trafik të armëve dhe municioneve. Antitrafiku ka sekuestruar një arsenal armësh dhe eksplozivash në kryeqytet, pranë Farmacisë Nr. 10. Operacioni i Antikrimit të organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, i mesditës së të enjtes, është koduar "Morina", si zona verilindore e vendit nga ku janë trafikuar armët nga Kosova. Mehmet Zharku, 33 vjeç nga Tropoja dhe vëllai i tij, Haliti, 37 vjeç, i cili banon në Tiranë, janë ndaluar në lëvizje me automjetet e tyre tip "Nisan Patrol" dhe "Benz", me targa angleze. Në bagazhet dhe kabinën e automjeteve policia bllokoi dhe sekuestroi 50 pistoleta "Minizastava", 24 pistoleta "Berreta", 1 granatahedhës, 6 predha kundërtank, 120 granata dore, 120 ndezës granatash dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme. Dy vëllezërit Zharku janë siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme oficerët e Antitrafikut nuk kishin zbuluar ende destinacionin e ngarkesës së pazakontë të armëve të kapura ndonjëherë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›